Schwarzenberg: Kosova të mos u ofrojë arsye shteteve për mosnjohje

02 shkurt 2018 | 11:49

Karel Schwarzenberg, një nga figurat kyçe në politikën çeke në disa dekadat e fundit, më ndërprenë qysh në fillim të bisedës tonë për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Ka kaluar shumë kohë”, thotë duke qeshur, teksa bëhet gati të japë mendimin e tij rreth rrugëtimit të një shteti, të cilin kur shërbente si ministër i Jashtëm i Çekisë në vitin 2008, kishte vendosur ta njohë, megjithë kundërshtitë e fuqishme nga një pjesë e skenës politikës në vendin e tij.

Dhjetë vjet më pas, tani ai thotë se Kosova po shënon “zhvillime pozitive”, porse “ka ende shumë punë për t’u bërë” që Kosova të pranohet si vend i respektuar në politikën ndërkombëtare.

Përveç luftimit të korrupsionit dhe ndërtimit të infrastrukturës – universiteteve dhe shkollave, siç i përmend ish-diplomati, që aktualisht është deputet në Parlamentin e Çekisë, thotë se të gjithë shtetet duhet që të përballen me të kaluarën e tyre.

“Kur vije puna tek shtetësia, çdo vend përballet me vështirësi të mëdha, dhe nuk shoh arsye pse Kosova të përjashtohet nga ky rregull”, ka thënë ai në një bisedë me “Radion Evropa e Lirë” të zhvilluar në Pragë.

Në vitin 2008, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish-ministri Schwarzenberg kishte treguar vullnetin për ta njohur pavarësinë e saj.

“Ne do të shohim se sa vende evropiane do ta njohin Kosovën, dhe se si do të sillet Qeveria e Kosovës. Ne do ta marrim vendimin bazuar në këto fakte. Për këtë arsye nuk do të përmend ndonjë datë në veçanti – ne do të punojmë me fakte, dhe jo data”, kishte thënë ai më 19 shkurt të vitit 2008. (burimi: radio.cz).

Vendimi i tij ishte kundërshtuar nga disa parti politike, përfshirë edhe ish-presidentin Vaclav Klaus. Në fakt, edhe presidenti aktual i Çekisë, Milos Zeman, që u rizgjodh në këtë pozitë para pak javësh, e që konsiderohet si më i afërt me Rusinë, nuk njihet si mbështetës i pavarësisë së Kosovës.

“Por, shumica e popullit e ka pranuar pavarësinë. Kosova e pavarur nuk është problem për shumicën e çekëve”, thotë tani Schwarzenberg. “Nuk është një problem politik”.

Si diplomat me përvojë, për Schwarzenberg nuk ka dilemë që njohjet ndërkombëtare janë të rëndësishme për një shtet.

Duke folur për pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën: Spanja, Greqia, Rumania, Qipro e Sllovakia, ai thotë se disa prej këtyre vendeve kanë “minoritete” të fuqishme, dhe nuk mund ta pranojnë parimin se një pjesë e qytetarëve të tyre mund ta shpallin pavarësinë.

Por, sipas tij, Kosova nuk duhet t’iu ofrojë “arsye” këtyre vendeve që ta shtyjnë vendimin e tyre për ta njohur pavarësinë.

“Do të ketë [mundësi për ndryshim në qëndrimin e këtyre shteteve] kur edhe arsyeja e fundit për ta shtyrë këtë vendim largohet. Siç ju thashë më herët, ju ende po ofroni arsye për t’iu mos njohur. Dhe, sigurisht kur këto arsye të bëhen të papërfillshme dhe kur të keni marrëdhënie të plota me Beogradin, atëherë këto shtete do ta pranojnë”, ka thënë Schwarzenberg.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dielli është afërsisht rreth 4.6 miliard vjeçar dhe kjo tregon…