S’dihet se kur do të mbërrijnë refugjatët afganë në Kosovë

21 gusht 2021 | 19:14

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë të ditur se kur pritet të arrijnë në Kosovë refugjatët afganë.

Në disa media ka qarkulluar një lajm se një pjesë e tyre ka mbërritur mbrëmë në Kosovë, por këtë lajm e ka demantuar zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara.

Gara ka thënë se në Aeroportin e Prishtinës nuk ka arritur asnjë aeroplan me refugjatë afganë.

Madje ajo ka thënë se nuk ka asnjë paralajmërim për ardhjen e tyre.

“Në ANP ‘Adem Jashari’ nuk është paralajmëruar asnjë ardhje me refugjatë afganë. Porsa të ketë diçka të tillë do të njoftojmë”, ka thënë ajo KosovaPress.

Kosova ka dy qendra të azilkërkuesve një në Magurë të Lipjanit dhe një në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës.

Këto dy qendra kanë kapacitet të vogël dhe në kushte optimale mund të pranojnë jo më shumë se deri në 100 persona.

Si vend i mundshëm i strehimit është përmendur Parku i Inovacionit dhe i Trajnimeve në Prizren, i cili në të kaluarën kishte shërbyer si kamp ushtarak gjerman.

Po ashtu është përmendur edhe Qendra Studentore në Prishtinë, por që është kundërshtuar nga Parlamenti Studentor, duke thënë se 4 mijë studentë mund të mbesin jashtë.

KosovaPress ka adresuar pyetje te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të kuptuar se kur është planifikuar ardhja e refugjatëve afganë dhe për sistemimin e tyre të mundshme, por ende nuk ka marr përgjigjet e kërkuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben…