S’do të ketë takim Kurti – Vuçiq në Bruksel, thotë Stano

25 tetor 2023 | 13:54

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano, ka thënë se të enjten në margjinat e samitit të Këshillit Evropian, nuk do të ketë takim kokë më kokë në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Nesër nuk do të ketë takim të nivel të lartë, liderët e Kosovës dhe Serbisë janë të ftuar për disa takime individuale me lider të caktuar të BE-së”, ka thënë Stano në një konferencë për media të mërkurën.

Sipas Stanos si Kurti ashtu edhe Vuçiç do të zhvillojnë takime individuale me liderë të caktuar të Unionit.

“Takimet janë në mbështetje të kthimit në dialog dhe ky është mesazhi. Presim nga të dyja palët që menjëherë dhe pa kushte t’i kthehen përmbushjes së obligimeve nga dialogu”, tha Stano të mërkurën.

Qeveria e Kosovës ka pranuar planin e ri të Bashkimit Evropian, ku përfshihet edhe drafti për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i prezantuar të shtunën nga delegacioni evropiano-amerikan, i cili udhëhiqej nga i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, thuhet në një shkrim të Koha.net, media e afërt me Qeverinë e Kosovës.

Në fakt, nuk bëhet fjalë për një plan të ri që prezanton diçka substancialisht të ndryshme dhe Albanian Post nga burimet diplomatike ka kuptuar se është thjesht çështje e zbatimit të zotimeve të marra me Marrëveshjen në Bruksel dhe Aneksin në Ohër.

Gjithsesi, Qeveria i ka dërguar një përgjigje Kohës dhe aty thuhet se e kanë fjalën për dakordimin e Kurtit që “ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali”.

Në këtë kontekst Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjinat e samitit të Këshillit Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Akil Gjakova e ka siguruar medaljen e argjendtë në Grand…