S’e kam ditur për kompensim, më vjen keq që s’i kam vërejtur 80 eurot shtesë në muaj

10 shkurt 2022 | 22:40

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se për herë të parë ka dëgjuar që ka pasur kompensim për deputetët që udhëtojnë nga qytete të tjera vetëm tash kur këto shpenzime janë publikuar në media.

Ajo, në një intervistë për televizionin publik, ka deklaruar se ajo është kompensuar për udhëtim për shkak se kur është regjistruar në Kuvend, i ka figuruar që vjen nga Mitrovica.

“Në atë mandat unë jam zgjedhur nga Mitrovica, ku 90 % të votave kanë qenë nga atje dhe jam regjistruar ashtu, por asnjëherë askush në Kuvend nuk tregon që regjistrimi në uebsajt ka të bëjë me ndonjë kompensim. Kushdo që ju thotë se kur regjistrohet deputeti, regjistrohet me qëllim kompensimi, është duke ju gënjyer rëndë. Unë për herë të parë kam dëgjuar që ka kompensim për udhëtim tash kur ka dalë kjo punë në media”.

Osmani tha se kurrë nuk ka dorëzuar kërkesë për t’u kompensuar si deputete, ani se thotë se një kohë të gjatë ka udhëtuar nga Gjilani për në Prishtinë çdo ditë.

“As në ndërkohë në asnjë moment, kurrën e kurrës, gjatë pesë mandateve si deputete, kurrë nuk kam dërguar një kërkesë për kompensim, askund hiç. As pas vitit 2012, edhe pse një pjesë të madhe të vitit kam vazhduar të udhëtoj nga Gjilani çdo ditë, por kurrë s’kam çuar kërkesë për kompensim”.

E para e shtetit thotë se ajo nuk i ka vërejtur paratë shtesë për këtë kompensim, pasi ato i kanë dalë bashkë me pagën.

“Paga e deputetit merret vetëm një pagesë dhe në atë pagesë e ke pagën bazë, shtesat për seanca, komisionin e parë, komisionet e tjera, kompensimin për ndonjë komision hetimor parlamentar, kompensimet për udhëtim nëse s’i ke marrë avans për udhëtim, mëditjet nëse s’i ke marrë avans dhe të gjitha këto bëhen bashkë në një pagesë”.

“Në rastin tim, nëse e kalkulojmë në katër vite, i bie që 80 euro në muaj mi kanë vendosur në llogari bashkë me krejt këtë pagesë të diku pesë-gjashtë shtesave të tjera. Natyrisht që mua më vjen keq që s’i kam vërejtur 80 euro që për katër vjet i bie 2.5 euro në ditë që është sa një taksi brenda Prishtinës”, ka thënë Osmani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grabitje e armatosur ka ndodhur të enjten mbrëma në…