Së paku 147 njerëz të vrarë nga luftimet në Libi
Agjencia e shëndetësisë e Kombeve të Bashkuara tha se luftimet e vazhdueshme midis milicive rivale për kontrollin e kryeqytetit të Libisë, Tripoli, ka lënë së paku 147 njerëz të vrarë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka thënë se 614 njerëz janë plagosur po ashtu, prejse grupi i njohur si Ushtria Kombëtare e Libisë ka nisur një ofensivë të madhe ushtarake më 5 prill.
Misioni i OBSh-së në Libi u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin shkaktimin e dëmeve kolaterale në spitale, ambulanca dhe te punonjësit e shëndetësisë.
Mbi 18 000 njerëz janë zhvendosur nga luftimet, bënë të ditur Kombet e Bashkuara.
Libia është e ndarë midis qeverive rivale në lindje dhe perëndim, secila e mbështetur nga disa milici.
Luftimet e fundit kanë vënë përballë Ushtrinë Kombëtare të Libisë, të udhëhequr nga komandanti Khalifa Haftar, dhe milicitë e lidhura ngushtë me qeverinë në Tripoli, e cila mbështetet nga OKB-ja, raporton “Rel”.
Libia, vend i pasur me naftë në Afrikën e Veriut, është shkatërruar nga dhuna, paqëndrueshmëria politike dhe përpjekjet për pushtet qëkur sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.