Së paku 28 të vdekur nga sulmi ndaj një autobusi në Siri

31 dhjetor 2020 | 09:07

Një autobus i mbushur me njerëz është sulmuar në pritë në pjesën lindore të Sirisë, duke lënë të vrarë së paku 28 persona.

Mediet shtetërore siriane thanë se autobusi u sulmua të mërkurën në provincën Deir al-Zour, duke thënë se në të kishte qytetarë.

Sidoqoftë, disa burime të tjera, përfshirë një grup vëzhgues, thanë se në autobusin e sulmuar kishte ushtarë dhe ka më shumë viktima, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britaninë e Madhe, tha se sulmi është realizuar nga ISIS-i dhe në të kanë mbetur të vrarë 37 ushtarë.

“Sulmi ishte pritë e organizuar mirë nga anëtarët e Shtetit Islamik dhe cak kishte tre autobusë që transportonin ushtarë dhe militantë pro regjimit”, tha ky grup.

Luftëtarët e ISIS-it shpesh përleshen në këtë zonë me forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad. Luftimet ndodhin kryesisht afër qytetit antik të Palmyras.

Në vitin 2014, ISIS-i kishte vendosur pushtet brutal ndaj miliona njerëzve duke kontrolluar sipërfaqe 88.000 kilometrash katrorë, nga Siria perëndimore deri në Irakun lindor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prizrenit ka nderuar Halil Kastratin me titullin “Nderi…