Së paku 33 të vdekur dhe disa të zhdukur nga përmbytjet në Gjermani
Së paku 33 njerëz kanë humbur jetën dhe disa të tjerë mbeten të zhdukur, pas përmbytjeve që përfshinë pjesën perëndimore të Gjermanisë, ka njoftuar policia gjermane.
Landet Rajnland Falc dhe Nordrajn Vesthalen janë më të goditurat.
Së paku katër njerëz humbën jetën edhe në Belgjikën fqinje, ndërsa Holanda është goditur rëndë po ashtu.
Përmbytjet vijnë pas reshjeve rekorde në disa pjesë të Evropës.
Malu Dreyer, shefe e policisë në landin Rajnland Falc, i ka përshkruar përmbytjet si “katastrofike”.
“Ka të vdekur, të zhdukur dhe shumë njerëz janë ende në rrezik”.
“Të gjitha shërbimet tona të urgjencës janë në aksion 24 orë dhe po rrezikojnë edhe jetën e tyre”, ka thënë Dreyer.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në ShBA, ka thënë se është “e tronditur nga katastrofa”.
Shkollat janë mbyllur në pjesën perëndimore të Gjermanisë, ndërsa shumë lidhje të transportit janë ndërprerë.
Dy zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë operacionit të shpëtimit në landin Nordrajn Vesthalen.
Njëri, 46 vjeç, ra në ujë duke tentuar të shpëtojë një burrë, ndërsa tjetri, 52 vjeç, vdiq gjatë operacionit dhe përballjes me stuhinë, ka njoftuar policia.