Së paku 43 të vrarë nga sulmi i militantëve në Kabul
Zyrtarët afgan kanë bërë me dije se së paku 43 persona janë vrarë pasi militantët kanë sulmuar zyrat qeveritare në pjesën lindore të kryeqytetit Kabul. Militantët kanë luftuar për orë të tëra me policinë.
Ata fillimisht kanë sulmuar hyrjen e kompleksit përmes një vetëvrasësi me bombë. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi, ka thënë se rreth 350 punëtorë janë shpëtuar pas një beteje tetëorëshe me militantët.
Ai ka thënë se tre persona të armatosur janë vrarë nga forcat e sigurisë. Shefi Ekzekutiv, Abdullah Abdullah, ka fajësuar talibanët, duke thënë se “sjellja e tyre është një turp për vetë nocionin e paqes”, duke iu referuar përpjekjeve të fundit për të negociuar me grupin militant.
Presidenti Ashraf Ghani, ka dënuar sulmin dhe ka vlerësuar forcat e sigurisë për “eliminimin e terroristëve”. Askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, megjithëse për incidente të ngjashme në të kaluarën janë fajësuar në militantët talibanë apo shteti islamik (IS).