Së paku pesë të vdekur nga vullkani në Zelandën e Re
Një vullkan ka shpërthyer në Zelandën e Re, duke lënë të vdekur së paku pesë persona dhe lënduar disa të tjerë.
Vullkani ka shpërthyer në Ishullin e Bardhë, nga ku kanë shpëtuar 23 persona.
Autoritetet kanë thënë se rreth 100 persona besohet të kenë qenë pranë.
“E dimë se ka pasur një numër turistësh në dhe përreth ishullit në atë kohë, si qytetarë të vendit, ashtu edhe vizitorë”, ka thënë kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.
Ajo ka shtuar se policia ka nisur operacionin e kërkim-shpëtimit, porse hiri i vullkanit është duke penguar përpjekjet.
Vullkani në Ishullin e Bardhë është një nga më aktivët në Zelandën e Re.
Më 3 dhjetor, ueb-faqja e monitorimit të rreziqeve gjeologjike “GeoNet” ka paralajmëruar se “vullkani mund të jetë duke hyrë në një periudhë kur aktiviteti shpërthyes ka më shumë gjasa të ndodhë:, megjithëse shtoi se “niveli aktual i aktivitetit nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për vizitorët”. /Rel/