Së pari konsensusi për dialog, pastaj zgjedhjet
Shefi i Grupit Parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka kundërshtuar qëndrimin e LDK-së dhe të LV-së, të cilat po kërkojnë zgjedhje të reja para se të flitet për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Sherifi ka bërë me dije se fillimisht duhet të arrihet një konsensus kombëtar në mes të pozitës dhe opozitës për dialogun me Serbinë, tek pastaj të bisedohet për zgjedhje të reja.
Ai ka shprehur optimizëm se pozita dhe opozita do të mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët për këtë çështje.
Sipas Sherifit, nuk do të ishte mirë të shkohet në dialog me Serbinë pa konsensus kombëtar.
“Aktualisht kemi një situatë ku dy partitë opozitare, LDK-ja dhe LV-ja, kanë dalë me kërkesën zgjedhje para dialogut përderisa ne mendojmë se renditja duhet të jetë ndryshe, së pari dialogu, pastaj zgjedhjet. Kjo tash për tash e bën më të vështirë arritjen e një konsensusi. Megjithatë, shpresoj që së shpejti pozita dhe opozita do të arrijnë të gjejnë një mënyrë për t’u bërë bashkë për këtë çështje e cila shkon përtej interesave partiake”, ka thënë Sherifi.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)