Së pari konsensusi për dialogun, pastaj zgjedhjet
Kryetarja e Alternativës, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë me dije se pozita dhe opozita së pari duhet të arrijnë një konsensus për miratimin e një rezolute në Kuvend për fazën finale të dialogut me Serbinë, tek pastaj të flasin për zgjedhje të reja.
Ajo ka deklaruar se primare është që Kuvendi i Kosovës me votat e pozitës dhe të opozitës t’ia ndalojë presidentit të vendit që në fazën finale të dialogut me Serbinë të flasë për lëvizje të kufijve në mes të dy vendeve.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kusari-Lila ka vlerësuar se pozita dhe opozita duhet të lëvizin nga pozicionet e tyre për ta arritur këtë qëllim.
“E para dhe më e rëndësishmja, është votimi i rezolutës e cila do ta ndalonte presidentin të diskutojë për kufij dhe miratimin e një platforme të mirëfilltë për dialog, pastaj mund të ulemi bashkërisht si spektër politik dhe të diskutojmë edhe për kohën e zgjedhjeve të reja”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka vlerësuar se është i mundshëm një konsensus në mes të pozitës dhe opozitës për këtë çështje. Sipas Kusari-Lilës, kjo është parë edhe në seancën e fundit të Kuvendit që është diskutuar për këtë çështje.
“Në kuadër të rezolutës e cila është ofruar nga partitë në pushtet ka pasur pika të mjaftueshme të cilat kanë mundur të inkuadrohen në rezolutën e opozitës, ku jemi nënshkruar edhe ne deputetët e Alternativës. Pra, ka pasur mundësi të harmonizohen qëndrimet dhe të arrihet një rezolutë e përbashkët. Ka pasur mangësi në qasje nga të dyja palët, por besoj prapë se ekziston hapësirë e mjaftueshme që gjatë ditëve në vijim të lëvizin pozicionet dhe të arrihet miratimi i një rezolute”, është shprehur Kusari-Lila, duke shtuar se fillimisht duhet të ketë një konsensus të brendshëm në Kosovë për të pasur pastaj normalizim të raporteve me Serbinë.
“Domethënë, një normalizim i raporteve të partive politike shqiptare në Kosovë është i domosdoshëm. Ky normalizim nuk ka të bëjë me kompromis të parimeve, por me fleksibilitet për të treguar qasje kreative për arritjen e një konsensusi”, ka thënë ajo.
Kryetarja e Alternativës ka deklaruar se partitë shqiptare nuk duhet ta mbështesin Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj pas vendimit të ekzekutivit për të vendosur taksë prej 10 përqindësh për mallrat serbe. “Nuk duhet t’i jepet mundësi Listës Serbe që ta destabilizojë vendin sa herë që konsideron se ka shkuar diçka kundër interesave të Serbisë dhe jo kundër interesave të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.
“Epoka e re”: Znj. Kusari-Lila, Kuvendi i Kosovës që disa herë po dështon ta miratojë një rezolutë për fazën finale të dialogut me Serbinë. Cili është qëndrimi i Alternativës për këtë çështje?
Kusari-Lila: Alternativa konsideron se është e domosdoshme arritja e konsensusit kombëtar për këtë çështje. Ne vazhdojmë ta mbështesim argumentin tonë i cili kërkon kompromis në mes të dy palëve, pozitës dhe opozitës, rreth dialogut me Serbinë. Po ashtu, Alternativa beson se ka vullnet politik të mjaftueshëm për ta nxjerrë një rezolutë e cila do të jetë e mbështetur nga gjithë spektri politik shqiptar dhe e cila do t’i përcaktojë qartë dhe saktë kufizimet rreth negociatave me Serbinë, përfshirë këtu edhe ndalimin e diskutimit për shkëmbimin e territoreve apo ndryshimin e kufirit në mes të dy vendeve.
“Epoka e re”: Pozita dhe opozita po e fajësojnë njëra-tjetrën se nuk janë të gatshme për një kompromis të tillë. A po tregon kjo mungesën e përgjegjësisë të spektrit politik?
Kusari-Lila: Kjo tregon se palët nuk kanë pasur gatishmëri për këtë konsensus. Palët kanë qenë të betonuara në pozicionet e tyre, ani pse, siç keni mundur ta vëreni edhe ju, ka mundësi të mjaftueshme për të arritur këtë konsensus, sepse në kuadër të rezolutës e cila është ofruar nga partitë në pushtet, ka pasur pika të mjaftueshme të cilat kanë mundur të inkuadrohen në rezolutën e opozitës, ku jemi nënshkruar edhe ne deputetët e Alternativës. Pra, ka pasur mundësi që të harmonizohen qëndrimet dhe të arrihet një rezolutë e përbashkët. Ka pasur mangësi në qasje nga të dyja palët, por besoj se ekziston hapësirë e mjaftueshme që gjatë ditëve në vijim të lëvizin pozicionet dhe të arrihet miratimi i një rezolute. Qëllimi i kësaj rezolute është ruajtja e shtetësisë së Kosovës, ruajtja e kufijve aktualë dhe përcaktimi i kufijve të platformës për bisedime, të cilën e përcakton Kuvendi, pastaj e ekzekuton një ekip që mandatohet nga Kuvendi. Besoj se në çdo rast pozita dhe opozita nesër mund t’i ndërrojnë pozicionet, pra opozita e sotme mund të jetë pozitë e nesërme dhe pozita e sotme mund të jetë opozitë nesër. Pra, prapë po ky spektër politik duhet të jetë bashkë në kuadër të hartimit apo përfundimit të një marrëveshje me Serbinë. Ky është një proces i cili do të zgjasë dhe zbatimi i një marrëveshje të mundshme me Serbinë do të shkojë sigurt edhe për një mandat tjetër qeveritar.
“Epoka e re”: Pra, pozita dhe opozita duhet të lëvizin nga pozicionet për shkak të interesit kombëtar?
Kusari-Lila: Mendoj se pozicionet aktuale nuk paraqesin ndonjë garanci për arritjen e një konsensusi. Ne së pari duhet të kemi një konsensus të brendshëm në Kosovë për të pasur pastaj një normalizim të raporteve me Serbinë. Domethënë, një normalizim i raporteve të partive politike shqiptare në Kosovë është i domosdoshëm. Ky normalizim nuk ka të bëjë me kompromis të parimeve, por ka të bëjë vetëm me fleksibilitet, për të treguar qasje kreative për arritjen e një konsensusi. Argumenti i panegociueshëm është se nuk do të ketë shkëmbim të territorit apo lëvizje të kufijve. Pro këtij argumenti është deklaruar i gjithë spektri politik. Pastaj për qasjen që duhet të ketë Kosova në raport me Serbinë ka ide të cilat konsideroj se do të jenë të mangëta nëse opozita ose ndonjë parti nuk merr pjesë në këtë proces. Është shumë e rëndësishme që të nxirret më e mira e mundshme. Nëse shikojmë pak në histori, dihet se vetëm kur spektri politik ka qenë me një zë janë arritur marrëveshje historike, siç është koordinimi i procesit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, i cili me vite ka qenë i mbështetur nga të dyja palët, pa marrë parasysh se kush e ka udhëhequr Qeverinë.
“Epoka e re”: Derisa po pretendohet të arrihet një kompromis në Kuvend, presidenti Thaçi po i vazhdon takimet me homologun e vet serb në kuadër të fazës finale të dialogut.
Kusari-Lila: Mendoj se vonesa e arritjes së një konsensusi të brendshëm dhe nxjerrja e një rezolute për këtë fazë të dialogut ia zgjatë mandatin presidentit Thaçi në këtë rrugëtim. Ideja është që ai të ndalet në diskutimin e tij për shkëmbim të territoreve apo për ndryshim të kufijve. E vetmja mënyrë për ta ndalë këtë është që edhe një herë të vendoset në letër ajo që është e shkruar sot në Kushtetutën e Kosovës, se askush nuk mund të negociojë për territorin e Kosovës apo nuk ka të drejtë të flasë për shkëmbim të territoreve me cilido shtet. Me Serbinë është tepër e rëndësishme që të vendoset një kufi i qartë, pastaj të lëvizet në pozicion të përcaktimit të prioriteteve, në veçanti të vlerësimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani. Nuk mund të flasim për një marrëveshje të re përderisa nuk e kemi një vlerësim të qartë të marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar dhe nuk po zbatohen nga Serbia.
“Epoka e re”: Qeveria ka vendosur taksën prej dhjetë përlindësh për të gjitha produktet serbe. Cili është qëndrimi juaj për këtë vendim të Qeverisë?
Kusari-Lila: Në këtë vendim të Qeverisë janë tri defekte. E para, se është vendosur një taksë prej 10 përqindësh. Nëse kemi dashur që kjo të ketë një efekt të mirëfilltë është dashur të bëhet në tërësi ndaj produkteve serbe. Së dyti, janë përjashtuar produktet e kompanive të huaja që prodhojnë në Serbi. Vendimi është dashur t’i përfshijë të gjitha produktet që prodhohen në Serbi, pa përjashtim. Dhe, së treti, ky vendim nuk është lidhur në asnjë formë me ndonjë objektiv të matshëm kohor dhe përmbajtjesor në kërkesën ndaj Serbisë. Pra, është dashur të vendoset një kusht që kjo masë të jetë në fuqi derisa Serbia ta fillojë zbatimin e marrëveshjeve për energji të arritura në Bruksel apo derisa Serbia nuk fillon zbatimin e mirëfilltë të marrëveshjes së lëvizjes së lirë. Këto dy marrëveshje janë parakushte kryesore për secilin biznes që të ketë sukses në Kosovë. Domethënë, të ketë qasje në energji të mirëfilltë dhe të ketë lëvizje të lirë të njerëzve. Nëse masa do të ishte më drastike, presioni më i madh do të ishte mbi Qeverinë e Serbisë nga vetë bizneset serbe.
“Epoka e re”: Vendosja e kësaj takse ka radikalizuar Listën Serbe e cila ka bërë me dije se do ta ndihmojë opozitën për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj. Alternativa do t’i bashkojë votat me Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë?
Kusari-Lila: Jo, nuk do ta bëjmë një gjë të tillë për arsye parimore. Ne së pari nuk duam që ky të jetë shkaku për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Ka shumë arsye të tjera për çfarë duhet rrëzuar Qeveria aktuale, por jo për këtë arsye. Së dyti, ne nuk i bashkohemi një iniciative e cila ka bazën te një parim që ne mendojmë se nuk është bërë gabim, por është dashur që masa të jetë më drastike. Prandaj nuk mund të shkojmë kundër parimeve tona dhe të veprojmë në bazë të politikave ditore. Për ne është shumë e rëndësishme vlera e parimit të shtetit të mirëfilltë, gjithashtu një plan i mirëfilltë kohor i procesit. E para dhe më e rëndësishmja është votimi i rezolutës e cila do ta ndalonte presidentin të diskutojë për kufij dhe miratimi i një platforme të mirëfilltë për dialog, pastaj mund të ulemi bashkërisht si spektër politik dhe të diskutojmë edhe për kohën e zgjedhjeve të reja, por jo të kemi provokime të tilla të cilat vetëm se shkaktojnë jostabilitet të mëtejshëm në skenën politike në Kosovë. Nuk duhet t’i jepet mundësi Listës Serbe që ta destabilizojë vendin sa herë që konsideron se ka shkuar diçka kundër interesave të Serbisë dhe jo kundër interesave të Kosovës.
Muhamet KOCI