Së shpejti do të nisë gjykimi ndaj Haxhi Shalës, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit
Pas një periudhe afro një vjeçare qëndrimi në paraburgim, së shpejti pritet të nisë gjykimi ndaj Haxhi Shalës, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit
Treshja akuzohet për ndikim në dëshmitarë të proceseve tjera që po zhvillohen në Hagë.
Rasti i tyre ka kaluar në trup gjykues, e që priten edhe seancat përgatitore për gjykim.
Mirëpo, janë edhe disa çështje të pazgjidhura, të cilat janë bartur nga gjyqtari i procedurës paraprake tek trupi gjykues.
“Një kërkesë nga Mbrojtja e Shalës dhe Januzit për një vendim mbi pranueshmërinë e materialeve të caktuara të zbuluara sipas Rregullës 102; një kërkesë në pritje nga Mbrojtja e Januzit për thirrjen e një dëshmitari; një kërkesë në pritje nga Mbrojtja e Bahtijarit për vlerësim mjëksor të Bahtijari; dhe një kërkesë në pritje nga Mbrojtja e Bahtijarit për zgjatjen e afateve kohore për paraqitjen e listës së dëshmitarëve”.
Megjithatë, i tërë procesi nuk vlerësohet si voluminoz.
“Fillimisht prokurori special e paraqet fjalën hyrëse, pastaj përfaqësuesi i viktimave dhe palët mbrojtëse i bëjnë fjalët e tyre hyrëse. Dhe më pastaj, fillon procedura e administrimit të provave, ku fillimisht prokuroria i dëgjon dëshmitarët e vet, varet nga numri i tyre. Por, besoj që ky rast ka me qenë rast i vogël dhe nuk ka me pasë shumë dëshmitarë që janë propozuar nga prokuroria”, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Procesi edhe për nga periudha kohore, vlerësohet se do të kryhet shpejtë.
“Konsideroj se në rastin konkret procedura nuk do të zgjasë shumë, sikurse në rastin e ish krerëve të UÇK-së, për faktin se këtu kemi të bëjmë me një çështje penale. Dhe hetimet janë zhvilluar shumë shpejt, prandaj edhe gjykimi do të shkojë shumë shpejt, për shkak se nuk ka shumë prova të cilat duhet të administrohen”, thotë avokati Kadri Osaj.
Sipas aktakuzës, me urdhër të Shalës, Januzi dhe Bahtijari e takuan individualisht “Dëshmitarin 1” në dy raste të veçanta për ta nxitur që të tërheqë dëshminë ose të mos japë dëshmi në procedurat zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke përdorur kërcënime të rënda dhe premtim të përfitimeve./Teve1/