Së shpejti hapet konkursi për specializime

11 korrik 2022 | 15:03

Ministria e Shëndetësisë është duke planifikuar që në shtator të hap konkursin për specializime.

Lajmin e ka bërë me dije ministri i Shëndetësisë,  Rifat Latifi, i cili ka thënë se janë duke synuar që këto konkurse t’i bëjnë të përvitshme.

Ai ka thënë se numri i personave të pranuar për shkollim specialistik do të jetë i arsyeshëm.

“Konkursi do të hapet shumë shpejt. Në shtator do të fillojnë specializimet e reja. Kjo do të ketë ristrukturim marramendës sepse nuk mundem tre veta me u ul në një karrige, në një tavolinë e me i zgjedh të gjithë specialistët për të gjitha fushat. Secilën lëndë klinike duhet me zgjedh. Ne do të fillojmë që për çdo vit me pas specializime sipas nevojave prej anestezionit, kardiokirurgjisë traumës së emergjencës e të tjera. Nuk do të jetë 1 mijë, do të jetë numër i arsyeshëm në mënyrë që ne ti shkollojmë ata edhe secili prej këtyre specializantëve të rinj do ta kalojë një kohë jashtë vendit”, ka thënë Latifi për “Kosovapress”.

Nevojën për specializime e ka shprehur edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Ai ka thënë se aktualisht kanë identifikuar ku ka nevojë për më shumë specializime.

“Nevojat për konkurse për specializantë janë gjithmonë, ajo që po përpiqemi të bëjmë është që të kemi konkurse në mënyrë të rregullt, të vazhdueshme e periodike e të mos ketë periudha të gjata kohore ku nuk shpallen konkurse dhe pastaj grumbullohet një numër i madh i mjekëve që dëshirojnë të marrin specializime sepse në këtë mënyrë edhe iu mohohet e drejta mjekëve që të kryejnë specializime. Mirëpo, në këtë kohë tani ne kemi identifikuar specialitetet, fushat ku janë më së domosdoshme dhe MSh është duke bërë përpjekje që pikërisht konkurset e ardhshme t’i kanalizoj në drejtim të plotësimit të këtyre mungesave përfshirë, infektologët, anesteziologët, pulmologët, specialistët e mjekësisë emergjente”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa ryetari i Odës së Mjekëve të Kosovësë, Pleurat Sejdiu, derisa ka theksuar nevojën për një konkurs të tillë, ai fillimisht ka kërkuar analizë, pasi diçka e tillë ka munguar deri tani.

“Do të ishte mirë që për çdo vjet ashtu siç është e përcaktuar me ligj të bëhen planifikime së pari të shikohen nevojat dhe kapacitetet për trajnimin e tyre sepse ne po japim specializime dhe ata janë duke u larguar për shkak se nuk kanë kushtim minimal të zhvillojnë specializimet. Një pjesë e madhe e këtyre specializantëve as një ditë nuk ka pasur të ofruar ligjërata. Duhet të bëhen planifikime dhe nëse bëhet çdo vit atëherë do të zbutet presioni por njëkohësisht të respektohet që së paku dy vite pas fakultetit duhet të punosh edhe pastaj të filloj me specializime. Ne në plotësim ndryshimin e ligjit kemi propozuar modelin kroat, ku për specializime vendoset me ligj e jo t’i lihet ‘X’ ministri, apo ministrit të ardhshëm që të bëjë si të dojë. Unë them se ka nevojë, unë them se nuk është bërë asnjë analizë se çka ku sepse duhet me i parë edhe kapacitetet se sa specialistë i plotësojnë kushtet për specialistë i kemi ne që të merren me këta specializantë”, ka thënë ai.

Në vitin 2020 ishin pranuar rreth 1 mijë e 500 specializantë pas një konkursi që kishte hapur Ministria e Shëndetësisë, nën udhëheqjen e ish ministrit, Armend Zemaj. Kritikat rreth këtij procesi ishin mjaftë të mëdha. Madje, edhe vetë specializantët gjatë këtij viti disa herë kanë protestuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionati Evropian në basketboll fillon nesër (e martë) në Prizren.…