Së shpejti hapet shkolla shqipe “Liria” në Norvegji

17 nëntor 2021 | 10:56

– Më shumë se tri dekada histori shqiptare në Kristiansand të Norvegjisë

Kryetari i Shoqatës “Liria” në Kristiansand të Norvegjisë, Bashkim Hadërgjonaj, ka thënë se shqiptarët në këtë qytetet janë mjaft të organizuar. Hadërgjonaj në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se shoqata që drejton ka dhënë një kontribut të çmuar para dhe pas çlirimit të Kosovës. Duke folur për rolin e kësaj shoqate, Hadërgjonaj ka bërë me dije se në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2022 do të hapet shkolla shqipe në Kristiansand

Albulena S. MAVRAJ

Kryetari i Shoqatës “Liria” në Kristiansand të Norvegjisë, Bashkim Hadërgjonaj, ka folur për rolin e shqiptarëve në këtë shtet për më shumë se tri dekada. Ai ka treguar se shoqata të cilën e drejton është themeluar në vitin 1987 në krye me Shefqet Pepën. Ai ka thënë se edhe si anëtar i kësaj shoqate ka kontribuar në çështjet kombëtare si para dhe pas çlirimit të Kosovës. “Kanë kaluar plot 34 vjet nga koha kur është iniciuar formimi i Shoqatës Kulturore Shqiptare ‘Liria’ në Kristiansand. Janë më shumë se tri dekada histori shqiptare në Kristiansand. Më fjalë të tjera, shoqata jonë është krijuar në vitin e largët – 1987. Si shumë shoqata të tjera mërgimtaresh anekënd globit, edhe kjo shoqatë është krijuar për të dhënë një ndihmë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave tona të shkëlqyera dhe për të zhvilluar një veprimtari të organizuar si komunitet shqiptare. Shoqata jonë është krijuar edhe për të qenë një zë i fortë i trojeve tona (shumë prej tyre) atëherë të robëruar. Ishte grupi iniciues në me krye Shefqet Pepën që i dhanë shoqatës sonë emrin ‘Liria’ në vitin e largët 1987”, ka thënë Hadërgjonaj.

Hadërgjonaj në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se shumë shpejt do të fillojë shkolla shqipe në Kristiansand e cila do të quhet “Liria”. Në këtë kontekst, ai ka thënë se ka mbetur sfiduese pajisja me tekstet shqipe si dhe pagesa e mësimdhënësve. Sa iu përket teksteve në gjuhën shqipe, Hadërgjonaj ka thënë se janë duke bërë përpjekje që të sigurojnë tekste shkollore në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Oslo dhe shoqatat e tjera shqiptare këtu në Norvegji. “Besojmë se shumë shpejt, në dhjetor 2021 ose janar 2022, do të fillojmë me mësimin plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e klasave të ulëta. Shkolla shqipe do ta mbajë emrin ‘Liria’. Kemi për momentin mungesë të teksteve/librave shkollore në gjuhën tonë. Po përpiqem të sigurojmë tekste/libra shkollore në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Oslo dhe shoqata të tjera shqiptare këtu në Norvegji. Kemi mungesë të mësuesve vullnetarë të ciklit të ulët. Ne si shoqatë kemi vështirësi të mëdha për të siguruar të ardhura për mësuesit”, ka thënë ai.

No description available.

Disa nga kryesia e tanishme e shoqatës “LIRIA”: Bekim Balaj, Bashkim Hadergjonaj, Hazbije Rexhepi, ambasadori i Republikës së Koosvës në Norvegji, Uliks Emra, Luljeta Mullaali, Ardiana Vejsa – Nikqi, Jeton Sejfijaj.

 

“Epoka e re”: Z. Hadërgjonaj, ju jeni kryetar i Shoqatës “Liria” në Kristiansand. Na tregoni se sa anëtarë ka kjo shoqatë dhe kur është themeluar?
Hadërgjonaj: Kanë kaluar plot 34 vjet nga koha kur është iniciuar formimi i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Liria” në Kristiansand. Janë më shumë se tri dekada histori shqiptare në Kristiansand. Më fjalë të tjera, shoqata jonë është krijuar në vitin e largët 1987, kur unë isha vetëm 11 vjeç. Unë kam lindur dhe rritur në Voksh të Deçanit. Në moshën 18-vjeçare, konkretisht në vitin 1994, kam emigruar në Kristiansand të Norvegjisë. Këtu kam vijuar studimet pranë Universitetit të Agder, në Shkenca Politike, niveli master. Shqiptarët në mërgim janë bashkuar në organizime e në shoqata të ndryshme ndër shekuj. Shoqata “Liria” është krijuar për t’i ruajtur dhe për t’i promovuar vlerat kombëtare në mënyrë të organizuar këtu në Kristiansand. Si shumë shoqata të tjera mërgimtarësh anekënd globit, edhe kjo shoqatë është krijuar për të dhënë një ndihmë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave tona të shkëlqyera dhe për të zhvilluar një veprimtari të organizuar si komunitet shqiptar. Shoqata jonë është krijuar edhe për të qenë një zë i fortë i trojeve tona (shumë prej tyre) atëherë të robëruara. Ishte grupi iniciues në krye me Shefqet Pepën që i dhanë shoqatës sonë emrin “Liria” në vitin e largët 1987. “Liria” është udhëhequr gjithmonë nga kryesia kolegjiale e kryesuar nga kryetarët si vijon: Daut Haxhaj, Sahit Shala, Esat Osmani, Mexhid Veliqi, Anton Ahmetaj, Canë Hasanaj, Ymer Berisha, Agron Daka, Ajet Gorqaj dhe nga viti 2017 nga unë Bashkim Hadërgjonaj.
Shoqata “Liria” ka statusin e saj demokratik, i përpiluar/formatizuar më 20 janar 1993 nga komisioni i posaçëm për statutin, i përbërë nga Shemsije Hoti, juriste e diplomuar, Ibrahim Kasapolliing, i diplomuar dhe Mexhid Veliqi, inxhinier i diplomuar, të cilëve u jemi shumë mirënjohës. Statuti është zbatuar/respektuar gjithmonë, në pikë e presje, nga të gjitha kryesitë e shoqatës. “Liria” ka klubin e Futbollit FC “Liria” që udhëhiqet nga presidenti Mentor Rashica dhe zëvendëspresidenti Florim Nikqi. Klubi i bashkon të rinjtë, organizon turnirë futbolli dhe është një arenë që i bashkon shqiptarët. Gjatë këtyre 34 vjetëve Shoqata “Liria” ka zhvilluar një varg veprimtarish të llojllojshme falë angazhimit këmbëngulës të veprimtarëve të shoqatës sonë. “Liria” ka organizuar veprimtari të panumërta atdhetare, sensibilizuese, ekspozita, veprimtari kulturore, festive, radiofonike, gazetareske, mbështetje financiare në mbledhjen e 3-qindëshit, demonstrata në përkrahje të popullit dhe ushtrisë sonë të lavdishme çlirimtare, mbështetje financiare fondit “Vendlindja thërret”, përvjetor dhe aktivitete sportive. Anëtarë të devotshëm të shoqatës sonë kanë mbajtur gjallë me vite të tëra gjuhën shqipe te një pjesë e fëmijëve tanë këtu. Është ky një rrugëtim i bukur 34-vjeçar, janë këto vitet e përpjekjeve tona, janë vite të një pune të palodhshme e të pandërprerë vullnetare dhe plot përkushtim për t’i arritur synimet dhe qëllimet tona. Kërkoj ndjesë nëse kam harruar pa përmend ndonjë. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjitha ato/ata që kontribuuan ndër vite.

“Epoka e re”: Sa anëtarë e përbëjnë kryesinë dhe sa janë vajza/gra?
Hadërgjonaj: Shoqata Kulturore Shqiptare “Liria” numëron qindra anëtarë dhe anëtare në Kristiansand dhe rrethinë. Numri i anëtarëve të kryesive ka ndryshuar ndër vite. Kryesia e tashme e Shoqatës “Liria” përbëhet prej tetë personash nga të cilët tre janë të gjinisë femërore. Kryesia ka, gjithashtu, një grup/formal mbështetës prej 15-20 personash. Gratë shqiptare në Kristiansand kanë qenë dhe janë shtyllat e të gjitha organizimeve/aktiviteteve të shoqatës që nga themelimi.

“Epoka e re”: Cili është roli i shqiptarëve në vendin ku jetoni?
Hadërgjonaj: Shqiptarët në Kristiansand japin kontribut të rëndësishëm dhe të përditshëm në shoqërinë norvegjeze dhe mbledhin përvoja të rëndësishme që mund e do të na shërbejnë për arritje dhe përparim në komunitetin tonë. Më lejoni t’ju them disa fjalë për shqiptarët këtu në Kristiansand. Unë i njoh mirë shqiptarët këtu dhe mund t’ju them me plot bindje se janë njerëz që mendja dhe zemra u rrahë për familjen, vendlindjen, atdheun, kombin dhe gjuhën tonë.
Shqiptarët këtu i gjënë në të gjitha profesionet dhe në të gjitha nivelet e administratës. Duke filluar nga ligjërues universitetesh siç janë Abit Hoxha, Brikena Djepaxhija, doktoresha Verona Ahmetaj, poeti dhe mësuesi Sahit Shala, dhe profesori Elvis Duro. Shqiptarët janë kudo. Këtu e gjeni ish-futbollistin e Kombëtares së Kosovës, Avni Pepa, futbollistët e njohur Wilhem Pepa e Dardan Dreshaj etj., ish-hendbollistet e Kombëtares së Kosovës, Merlinda Qorraj, hendbollistja e ardhshme e Kombëtares së Norvegjisë, Elvina Qorraj. Këngëtarët Hata Koca, Naser Hajdini dhe Leonida Dreshaj.
Sipërmarrës të suksesshëm si Fitim Pepshi, Shpend Hasanaj, Demi Hansen, Jeton Sejfijaj, dhe Fisnik e Mentor Rashica. Pastaj vëllezërit Tahiraj, vëllezërit Vejsa, vëllezërit Rama, Valmir Avdijaj, Zenel Hoxhaj, Adem Veseli e shumë e shumë profile të tjera. Kemi mbi 40 bashkatdhetarë të punësuar në transportin publik, pa të cilët kjo infrastrukturë kritike vështirë që do të mbijetonte. Gjeneratat e reja studiojnë në universitetet dhe institucionet e tjera arsimore të të gjitha niveleve dhe i gjënë të punësuar në të gjitha nivelet e administratës shtetërore dhe kompanive private.

 “Epoka e re”: Sa i përket mësimit në gjuhën shqipe, a ka shkollë shqipe në vendin ku jetoni?
Hadërgjonaj: Shoqata “Liria” po bën përpjeke për aë themeluar shkollën shqipe për mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Besojmë se shumë shpejt, në dhjetor 2021 ose janar 2022, do të fillojmë mësimin plotësues në gjuhën shqipe për nxënësit e klasave të ulëta. Shkolla shqipe do ta mbajë emrin “Liria”. Hëpërhë kemi mungesë të teksteve/librave shkollore në gjuhën tonë. Po përpiqemi të sigurojmë tekste/libra shkollorë në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Oslo dhe shoqatat e tjera shqiptare këtu në Norvegji. Kemi mungesë të mësuesve vullnetarë të ciklit të ulët. Ne si shoqatë kemi vështirësi të mëdha për të siguruar të ardhura për mësuesit.

“Epoka e re”: Megjithëse në rrethana pandemie, a keni zhvilluar ndonjë aktivitet kohën e fundit dhe çfarë planesh keni për festat kombëtare?
 Hadërgjonaj: Aktivitetet tona gjatë pandemisë kanë qenë shumë të kufizuara për shkak të kufizimeve dhe moslejimit të zhvillimit të aktiviteteve me shumë pjesëmarrës. Morëm vendim që gjatë pandemisë lokalet tona të hapen nga grupe të vogla për të qenë sa më të sigurt për mbajtjen e distancave dhe kufizimeve të tjera për ta mbrojtur shëndetin publik. Megjithatë, jemi organizuar dhe kemi pritur këtu në Kristiansand rrjetin e bizneseve të diasporës shqiptare.
Më tutje, kemi pritur në mënyrë madhështore ambasadorin e parë dhe fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Norvegjisë, shkëlqesinë e tij, zotëri Uliks Emra, para pak muajsh. Tani shpresojmë që pandemia të kalojë dhe gradualisht t’i kthehemi jetës normale. Së afërmi do ta festojmë 28 nëntorin, festën tonë kombëtare. Më pastaj do të hapim shkollën shqipe “Liria”, për të vijuar më 17 shkurtin, festimin e pavarësisë së Kosovës dhe festën e 8 marsit për gruan shqiptare. Para pushimeve verore planifikojmë edhe pjesëmarrjen tonë në festivalin ndërkombëtar të organizuar nga komuna e Kristiansand dhe kështu me radhë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri i njohur shqiptar, Robin Krasniqi, është fejuar me modelen…