Së shpejti në Malishevë fillojnë edhe tri projekte në fushën e bujqësisë
Këshilli i Drejtorëve të Komunës së Malishevës ka mbajtur të hënën mbledhjen e radhës, e cila është drejtuar nga kryetari i komunës Ragip Begaj.
Në këtë mbledhje është bërë me dije se krahas realizimit të projekteve tjera kapitale, shumë shpejt pritet të realizohen edhe tri projekte me rëndësi në fushën e bujqësisë.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Murat Hoxha, ka bërë me dije se projekti i parë në fushën e bujqësisë ka të bëjë me përkrahjen me lopë qumështore, projekti i dytë me makina për mbjellje të misrit dhe projekti i tretë për përkrahje me makina për shpërndarjen e plehut kimik.
Po ashtu, në këtë mbledhje, drejtorët e drejtorive tjera kanë raportuar për punët dhe aktivitetet gjatë javës së kaluar dhe për planifikimet për javën në vijim, ku sipas tyre janë duke vazhduar me realizimin e projekteve dhe planifikimeve për këtë vit.
Sipas drejtorit për Buxhet, Valon Mazreku, është hartuar draft buxheti komunal për vitin e ardhshëm, i cili do të diskutohet në Kuvendin e Komunës gjatë kësaj jave.
Ndërsa, drejtoresha e Sportit, Besartë Kryeziu-Ramaj, ka njoftuar se Komuna e Malishevës është pjesë e “Javës evropiane të sportit” dhe do të jetë pjesëmarrëse në disa nga aktivitetet që do të zhvillohen gjatë kësaj jave.
/Epoka e re/