Së shpejti pritet të fillojnë tri projekte të mëdha në Malishevë
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, ka bërë me dije se shumë shpejt pritet të fillojnë tri projekte të mëdha në këtë komunë.
“Krahas fillimit të ndërtimit të rrugës së transitit për Malishevën, së shpejti pritet të fillojnë edhe tri projekte të mëdha. Shumë shpejt pritet të përfundojnë procedurat për ndërtimin e Qendrës së Banimit Social, pastaj rregullimi i shtratit të lumit Mirusha dhe ndërtimi i kanalizimit nga Lladrovci deri në Malishevë dhe lidhja e tij me kolektorin kryesor të ujërave të zeza”, ka thënë Berisha.
Në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve është raportuar edhe për vazhdimin e projekteve kapitale dhe planifikimeve tjera komunale.
Po ashtu, në këtë mbledhje është njoftuar edhe për përgatitjet për fillimin e aksionit të madh të pastrimit të ambientit, përkatësisht për largimin e deponive ilegale të mbeturinave, ku Drejtoria Komunale për Shërbimet Publike së bashku me personat përgjegjës dhe nivelin qendror, do të fillojnë këtë aksion në fund të javës.
Më 12 shtator do të mbahet edhe “Dita e Rinisë”, ku janë paraparë të zhvillohen një varg aktivitetesh rinore.
/Epoka e re/