Së shpejti pritet të funksionalizohet rrjeti i ujësjellësit në fshatin Zasellë të Mitrovicës
Në kuadër të prioriteteve në përmirësimin e jetës së qytetarëve, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë (DShPI) ka filluar me ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Zasellë të Mitrovicës.
Komuna e Mitrovicës këtë projekt e ka filluar në vitin 2009, mirëpo meqenëse në realizimin e tij janë hasur disa vështirësi, punimet kanë ngecur deri më tani, me ç’rast drejtori Muja bëri përpjekje të shumta që ky projekt të implementohet sa më parë.
Vështirësi të shumta ka hasur edhe drejtori i DShPI-së, Naser Muja, pasi gati dy vite kanë zgjatur procedurat për pëlqimin nga ana e KEDS-it, lidhur me sigurimin e pompave dhe trafos së re elektrike, në mënyrë që të mbulojë të gjitha kapacitetet e mjaftueshme për furnizim me energji elektrike për banorët e këtij fshati.
Me këtë rast, drejtori Muja ka marrë pjesë në testimin e fazës finale të funksionalizimit të ujësjellësit në këtë fshat, i cili foli për rëndësinë e madhe që ka ky projekt për banorët e kësaj ane. “Punimet për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit kanë filluar para 3 javësh dhe deri më tani janë kryer me një intensitet mjaft të lartë, prandaj jam shumë i lumtur që kemi arritur të bëjmë të realizueshëm këtë projekt, përmes të cilit pritet shumë shpejt të zgjidhet problemi i ujit të pijes për banorët e këtij fshati”, është shprehur Muja.
Gjithashtu këto rrjete do të kalojnë për mirëmbajtje nën menaxhimin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A, dhe në kuadër të këtij projekti, do të vendosen edhe orëmatësit në amvisëri, dhe keqpërdorimi i ujit nga ana e qytetarëve do të jetë i pamundur.
/Epoka e re/