Së shpejti pritet të hiqen provizionet për pagesat në POS
Në Kosovë aktualisht janë 12 668 POS terminale (Point of Sale) të cilët janë të vendosur pranë arkave në dyqane dhe qendra të mëdha tregtare. Nga gjithsejtë dhjetë banka që operojnë në Kosovë që kanë licencë, shtatë prej këtyre bankave e kanë rrjetin e tyre të terminaleve POS.
Ndërkaq shuma që u ndalet provizion qytetarëve me rastin e pagesës është 1 deri në 2 për qind të vlerës së mallit në rast se ata bëjnë pagesë në POS-in e ndonjë banke tjetër, kurse për POS-in e bankës së njëjtë nuk ka provizione. Mirëpo mungesa e informimit të qytetarëve, se çfarë shumë mund t’u ndalet në rast të pagesës me kartelë, ka bërë që shumë qytetarë të ngurrojnë të paguajnë me kartela, duke preferuar pagesën me para të gatshme. Edhe për afaristët ndalja e provizioneve nga bankat ka bërë që ta largojnë këtë sistem të pagesës.
Në lidhje me këtë, zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti, ka theksuar për gazetën “Epoka e re” se sipas raportit të fundit të publikuar nga BQK-ja, në fund të muajit shtator të këtij viti në Kosovë janë 12 668 POS terminale.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në baza të rregullta mujore publikon të dhëna për statistikat e pagesave në Kosovë ku përfshihen edhe të dhënat për numrin e terminaleve për pagesa (POS). Sipas raportit të fundit të publikuar, në fund të muajit shtator të vitit 2018 në Kosovë kanë qenë 12 668 POS terminale”, ka deklaruar Ahmeti.
I pyetur se cilat banka kanë POS të tyre, në mënyrë që qytetarëve mos t’u ndalën provizione, Ahmeti ka thënë se nga dhjetë banka që operojnë në Kosovë, shtatë prej tyre kanë rrjetin e tyre të terminaleve për pagesa POS. “Sa iu përket tarifave për pagesat me kartela duhet t’u referoheni çmimoreve të bankave për shërbimet e tyre, të cilat, sipas rregullores për normën efektive të interesit dhe kërkesat për shpalosje, bankat janë të obliguara t’i publikojnë në uebfaqet e tyre dhe t’i përditësojnë rregullisht”, ka deklaruari ai.
Ahmeti ka theksuar se BQK-ja me mbështetje edhe të Bankës Botërore është duke analizuar opsionet më të mira rreth mundësisë së unifikimit të rrjetit të terminaleve me pagesë POS si dhe pagesave me kartela në përgjithësi.
Sipas statistikave mbi numrin e llogarive të klientëve të BQK-së, sa iu përket pagesave me “e-banking” nga gjithsejtë 235 311 pagesa, nga të cilat individuale janë 193 524, kurse të bizneseve 41 787 apo shprehur në përqindje 11.83 për qind e përbëjnë individët të pjesëmarrjes të llogarive me qasje në internet në numrin e përgjithshëm të llogarive rrjedhëse, kurse vetëm aferistët 2.55 për qind.
Sa iu përket terminaleve për pagesa POS dhe transaksionet sipas tipit të terminaleve, shprehur numerikisht janë 909 779 sosh në vlerë 32 498 088.12.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se provizionet për pagesa në POS sillen nga 1 deri në 2 për qind në rast se bëhen në POS të bankës tjetër.
“Provizionet sillen nga 10 deri në 20 për qind të vlerës së mallit të blerë në rast se bën pagesë në POS të bankës tjetër dhe në rast se banka juaj e ka POS-in e saj atëherë ka zero provizion”, ka thënë Balija, duke shtuar se janë në diskutime që të bëhet një unifikim i POS-it për t’u hequr tërësisht POS. “Për datën se kur mund të bëhet ky unifikim momentalisht s’mund ta themi sepse jemi në diskutime”, është shprehur ai.
Ndërkaq afaristi Burim Piraj ka pohuar për gazetën “Epoka e re” se ka vendosur që mos të përdorë POS për shkak se fitimet janë të vogla dhe një përqindje për këtë shërbim po ua marrin bankat. “Në firmën paraardhëse kemi pas POS në përdorim dhe kemi qenë të pakënaqur me përqindjen që duhej paguar. Në pikat e reja të fast- foodeve që kemi hapur nuk kemi qenë të gatshëm të instalojmë terminale për pagesa POS. Fitimet në Kosovë janë shumë të vogla dhe një përqindje të mirë po e merr banka, prandaj për ne ka mbetur opsioni i vetëm pagesa me të gatshme”, është shprehur Piraj, duke shtuar se pagesat me kartelë janë një prej metodave më të përsosura. “Për vendin tonë pagesat elektronike do të kishin bërë një revolucion në eliminimin e ekonomisë gri dhe rritjes së të hyrave në buxhetin e shtetit”, ka thënë Piraj.
Arkëtari A. Krasniqi, i cili punon në nja nga supermarketet në Prishtinë, ka thënë se ka hezitime të qytetarëve për të paguar me kartelë për shkak të mosnjohurive të mjaftueshme. Ndërkaq një qytetar nga Prishtina, P. Salihu, ka treguar se më parë ka paguar me kartelë, edhe pse nuk ka qenë në dijeni se sa mund t’i ndalë banka provizion.
“Më parë kam paguar me kartelë, mirëpo në janar të këtij viti nuk kisha pasur para në bankë dhe më është dashur të paguaj në një nga marketet tona në vlerë 2.62 centë. Unë llogarinë e kam në Bankën Kombëtare Tregtare dhe nuk kam qenë i njoftuar se mund të bëjë pagesa me minus, mandej më është bllokuar llogaria për një kohë dhe më janë ndalur dy herë mjetet. Kam shkuar në bankë dhe ata më kanë kërkuar falje. Kjo procedurë më ka marrë kohë, andaj për shkak të këtyre telasheve hezitoj të paguaj me kartelë”, ka thënë ky qytetar për gazetën “Epoka e re”. Gazeta ka provuar të marrë përgjigje edhe nga përfaqësuesit e BKT-së, mirëpo kontakti me këtë bankë ka qenë i pamundur.
(Albulena S. MAVRAJ)