Së shpejti pritet të ndërtohet një institut i sëmundjeve të vartësisë
Në Ditën botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave është thënë se në Kosovë është duke u rritur numri i personave që abuzojnë me substanca narkotike, ku më të prekurit janë adoleshentët.
Shefja e repartit të sëmundjeve të varësisë, Saime Braina, ka thënë se në Kosovë dita-ditës ka një trend të rritjes së përdoruesve të narkotikëve.
Ajo ka theksuar se në këtë repart trajtim mjekësor kanë marr 101 persona kurse deri në këtë periudhë të këtij viti 49 persona kanë kërkuar trajtim dhe rehabilitim.
Sipas Brainës i rëndësishëm është ndërtimi i institutit të sëmundjeve të varësisë më qëllim të një trajtimi më serioz të gjendjes.
Ndërsa, Pashk Buzhala nga Ministria e Shëndetësisë, ka thënë se si ministri janë për të ngritur vetëdijen dhe edukimin në parandalimin e përdorimit të drogave.
Sipas tij, kjo ministri ka rregulluar terapinë zëvendësuese “metadon” i cili jepet në disa qendra të Kosovës.
Edhe ai ka theksuar se së shpejti do të ndërtohet instituti për sëmundjet e varësisë, pasi sipas tij mjetet janë ndarë, por kanë pasur problem me gjetjen e hapësirës.
Buzhala ka thënë se në bazë të disa ekspertëve është rekomanduar që ky institut të ndërtohet brenda hapësirave të QKUK-së.
Në anën tjetër, Drita Zajmi nga Instituti i Shëndetit Publik , ka thënë se në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i përdoruesve të drogave. Pavarësisht kësaj, Zajmi ka thënë se numri i abuzuesve me substanca narkotike është më i madh në vendet urbane sesa në ato rurale.