Së shpejti shpallen procedurat e tenderimit për autoudhën Kievë – Zahaq
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka pritur në një takim pune drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Kosovë, Neil Taylor, dhe Arianit Blakaj, bankier kryesor i këtij institucioni në Kosovë.
Në takim u diskutuan projektet infrastrukturore që Ministria e Infrastrukturës i ka me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, me theks të veçantë projektet e rëndësishme që lidhin Kosovën me vendet e rajonit.
Ministri Abrashi ka falënderuar BERZH-in për mbështetjen e vazhdueshme në projektet infrastrukturore që janë duke u kryer, dhe po ashtu për ato që do të nisin shumë shpejt.
Ministri Abrashi dhe drejtori Taylor diskutuan për finalizimin e procedurave e përgatitjeve për shpalljen e tenderit për autoudhën Kievë-Zahaq, dhe së shpejti do të shpallen procedurat e tenderimit për këtë projekt strategjik për vendin.
Po ashtu u diskutua për fillimin e projektit për zgjerimin e hyrje-daljeve në Komunën e Ferizajt, procesin e rehabilitimit dhe rikonstruktimit të hekurudhave të Kosovës si dhe bashkëpunimin e financimin e projektit të autoudhës, Prishtinë – Merdare.
Taylor bëri me dije se investimet e BERZH-it në Kosovë do të vazhdojnë, bazuar në kërkesat e Ministrisë dhe duke u përqendruar tek zhvillimi ekonomik i Kosovës.