Seanca ndaj Gucatit dhe Haradinajt, gjykatësi dhe prokurori replikojnë për dëshmitarët
Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke u mbajtur seanca e radhës paragjyqësore ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Pasi janë diskutuar disa çështje të tjera, gjykatësi është ndalur në çështjen e pjesëmarrjes së dëshmitarëve të zgjedhur nga prokuroria në procesin gjyqësor.
Avokatët e Gucatit dhe Haradinajt kanë kërkuar që prokuroria t’i publikojë emrat e dëshmitarëve që i ka zgjedhur për t’i dëgjuar, ndërsa prokuroria përmes një parashtrese ka thënë se nxjerrja e këtyre emrave mund t’i rrezikonte ata. Me këtë rast, gjykatësi e pyeti prokurorin nëse i kanë njoftuar dëshmitarët se nuk do të aplikoheshin masa mbrojtëse për ta.
“Kur flisni për mundësinë e thirrjes së këtyre dëshmitarëve, besoj që ju i keni informuar ata për arsyen se ata do të thirren si dëshmitarë pa aplikimin e masave mbrojtëse”, ka thënë gjykatësi.
“Dëshmitarët e dinë se ZPS-ja mund të kërkojë masa mbrojtëse”, ka thënë prokurori gjatë përgjigjes.
Më tutje, gjykatësi i ka thënë prokurorit të mos ulej, duke ia bërë edhe disa pyetje në lidhje me dëshmitarët.
“Ju i keni kërkuar këtyre personave që t’i përgatisin deklaratat për procesin gjyqësor”, ka thënë gjykatësi.
Duke mbrojtur mënyrën e sjelljes së prokurorisë me dëshmitarët, prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka thënë: “Kjo është mënyra. Ne duhet të marrim deklarata, duhet t’i nxjerrim ato”.