
Seanca për Banjskën më 17 prill
Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ende s’ka marrë vendim për gjykim në mungesë për 42 të akuzuarit, për sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ishte vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Derisa seanca e shqyrtimit ndaj tre të akuzuarve të cilët gjenden në paraburgim, do të mbahet më 17 prill.
Kështu deklaroi për “Klankosova.tv”, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve V.T., B.S. dhe D.M. është caktuar të mbahet me datë 17.04.2025 në ora 09:30. Ndërsa lidhur me rastin e të pandehurve të tjerë, për të cilët është veçuar lënda dhe për të cilët ka pasur propozim që të mbahet gjykimi në mungesë, ju njoftojmë se ende nuk është vendosur nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka thënë Gashi.
Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, e të cilët gjenden në paraburgim, të enjten e 17 prillit pritet të dalin para drejtësisë në Kosovë.
Pjesë e kësaj seanca nuk do të jenë 42 të akuzuarit tjerë për këtë sulm, përfshirë edhe udhëheqësin e grupit terrorist, Millan Radoiçiq.
Në shqyrtim fillestar prokurori i rastit Naim Abazi, kishte kërkuar gjykim në mungesë.