Seanca për rrëzimin e qeverisë Kurti, të shtunën?

20 mars 2020 | 08:13

Derisa seanca për rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit është raportuar se mund të mbahet të shtunën, partitë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re janë shprehur se do ta mbështesin mocionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës është shprehur se po e shikon me vëmendje situatën dhe do të dalë me një qëndrim konkret.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka takuar të enjten krerët e disa partive politike për ta marr mbështetjen për mocionin që ka nisur për rrëzimin e qeverisë Kurti, pjesë e së cilës ishte.
Çështja e taksës dhe shkarkimi i ministrit të LDK-së, Agim Veliu, u bënë shkaktarë që raportet LV-LDK të shkojnë drejt fundit dhe të prishet koalicioni qeverisës.
Të enjten Partia Demokratike e Kosovës theksoi se po shikon me vëmendje situatën dhe do të dalë me një qëndrim konkret sa i përket mocionit të votëbesimit të qeverisë Kurti të cilin e ka iniciuar Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka thënë se qeveria Kurti ka zgjedhur momentin më të keq për ta shkaktuar këtë krizë politike.
Ndërkaq, pas takimit ndërmjet Mustafës dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ky i fundit tha se mbështesin mocionin e LDK-së për rrëzimin e qeverisë Kurti. “Temë diskutimi ishte inicimi i mocionit për shkarkim të qeverisë Kurti. Në bisedim me Isa Mustafën e njoftova se qëndrimi i AAK-së është për. Ne e përkrahim”, tha Haradinaj para mediave.
Lideri i AAK-së tha se është mirë të ndërmerren veprime dhe të krijohet qeveria e re, duke shtuar më tej se me Mustafën do të takohet sërish.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se partia e tij e mbështet mocionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndërkaq, sipas tij, nuk është e domosdoshme vendi të shkojë në zgjedhje.
Limaj këto komente i bëri pas takimit me liderin e LDK-së, Isa Mustafa. “Ne e mbështesim këtë mocion dhe jemi të gatshëm t’i japim nënshkrimet. Duhet të kemi një qeverisje, nuk është e domosdoshme vendi të shkoj në zgjedhje”, tha Limaj.
Se a do të përfshihej Nisma në një qeveri gjithëpërfshirëse, ai tha: “Ne nuk mund të flasim në mënyrë hipotetike…Pas mocionit me kohë do t’ju informojmë për vendimet tona”.
Edhe Aleanca Kosova e Re ka bërë me dije se do ta mbështesë mocionin e nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë Kurti./Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon edhe një herë tjetër ka…