Seanca për votimin e Qeverisë së re mund të mbahet para të hënës
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që erdhi në përfundim se dekreti i presidentit është në përputhje me Kushtetutën, ka qenë i pritshëm.
“Vendimi është i qartë dhe i pritshëm, sepse ka qenë e qartë kur është shkruar Kushtetuta. Ka qenë e qartë kur është interpretuar kjo çështje në vitin 2014 dhe qëndrimi që ne bashkërisht kemi mbajtur me Vetëvendosjen dhe partitë e tjera në atë kohë të opozitës dhe është i qartë edhe sot. Vullneti i popullit deklarohet në Kuvend dhe Kuvendi përmes vullnetit të popullit vendos për institucionet e tjera”.
Ai në “Klan Kosova”, ka treguar se kur pritet që të procedohet për thirrjen seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti.
“Pasi vendimi është nxjerrë në orët e vona ne akoma nuk jemi konsultuar, por besoj se nesër në mëngjes do të konsultohemi. Procedura është shumë e thjeshtë, duhet vetëm një letër për Kryetaren e Kuvendit nga unë si Kryetar i Grupit Parlamentar ku caktojmë ditën dhe orën kur mbahet seanca, derisa të tjerat janë të përfunduara”.