Seanca sërish e mbyllur, avokatët e liderëve të UÇK-së fillojnë me pyetje për dëshmitaren e parë
Është duke vazhduar edhe të mërkurën gjykimi në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Me dëshminë e saj është duke vazhduar dëshmitarja e parë në këtë proces gjyqësor.
Ashtu sikur dje (e martë), edhe sot (e mërkurë) seanca ka nisur e mbyllur. Sipas asaj që është bërë me dije, prokuroria ka përfunduar me marrjen në pyetje të kësaj dëshmitareje.
Si rezultat i kësaj, fjala i është dhënë avokatit të Hashim Thaçit, Gregory Keohe. Kur ai ka marrë fjalën, seanca ka kaluar në private (e mbyllur).
Për dëshmitaren do të kenë pyetje edhe avokatët tjetër të liderëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurse, gjatë kësaj jave është paraparë edhe dëgjimi i dëshmitarit të dytë.
Nuk dihet se sa është numri i dëshmitarëve të tillë të cilët dëshminë e tyre do ta japin në masa strikte mbrojtëse. Kjo me qëllim që identiteti i tyre të mos zbulohet.
Pasi seancat e para janë duke u zhvilluar të mbyllura, ka reaguar Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“Pak po ju duket që i fshihet fytyra dhe zëri dëshmitares, veç edhe kalojnë në seancë edhe më private”, ka shkruar Klinaku në “Facebook”.