Seancat e jashtëzakonshme po e lënë mbrapa Kuvendin
Menaxheri i projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për monitorimin e Kuvendit të Kosovës, Artan Murati, ka kritikuar qasjen e këtij institucioni rreth mbajtjes së seancave të jashtëzakonshme.
Ai ka thënë se rezultatet që kanë prodhuar këto debate parlamentare janë të pakta.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murati ka treguar se seancat e jashtëzakonshme gjatë këtij viti ka lënë mbrapa Kuvendin me trajtimin e pikave që kanë qenë të parapara për t’u shqyrtuar në seancat e rregullta.
“Mbajtja e një numri të madh të seancave të jashtëzakonshme gjatë këtij viti ka lënë mbrapa Kuvendin me trajtimin e pikave që kanë qenë të parapara për t’u shqyrtuar në seanca të rregullta. Ndonëse jemi në muajin prill, Kuvendi ende ka pika të papërfunduar qysh nga muaji tetor i vitit 2018 dhe gjysma e tyre janë projektligje qoftë në shqyrtim të parë ose në shqyrtim të dytë”, ka thënë Murati.
Ai ka treguar se kjo po ndikon edhe në punën e komisioneve parlamentare. “Bllokimi i këtyre pikave në seanca, të cilat nuk po arrijnë të përmbyllen për mungesë të kuorumit, ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe në dinamikën e ulët të punës edhe te komisionet parlamentare të cilat nuk kanë mundësi ta fillojnë fazën e amendamentit të projektligjeve meqë të njëjta nuk po arrijnë të marrin aprovim në parim në seancë”, është shprehur Murati.
Sipas tij, deputetët nuk janë duke arritur të parandalojnë fenomene të caktuara, por vetëm po diskutojnë për fenomene që kanë ndodhur.
“Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar qasjen e vet reaktive ndaj problemeve në vend, e assesi jo proaktive. Kuvendi dhe deputetët nuk janë duke arritur të parandalojnë fenomene të caktuara, por në vazhdimësi janë duke diskutuar për çështje të cilat veçse janë shndërruar në fenomene. Njësoj Kuvendi ka reaguar edhe me tema të tjera sociale si, për shembull, mishin e prishur, ajrin e ndotur etj. Edhe seanca për ikjen e qytetarëve nga Kosova më tepër ka karakter reklamues për deputetët sesa përmbajtje të vërtetë”, është shprehur Murati.
“Epoka e re”: Z. Murati, Kuvendi i Kosovës sërish ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme rreth fenomenit të ikjeve të qytetarëve nga Kosova e cila nuk solli ndonjë rezultat. Si e keni parë mbajtjen e kësaj seance?
Murati: Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar qasjen reaktive ndaj problemeve në vend, e assesi jo proaktive. Kuvendi dhe deputetët nuk janë duke arritur të parandalojnë fenomene të caktuara, por në vazhdimësi janë duke diskutuar për çështje të cilat veçse janë shndërruar në fenomene. Njësoj Kuvendi ka reaguar edhe me tema të tjera sociale si, për shembull, mishin e prishur, ajrin e ndotur etj. Edhe seanca për ikjen e qytetarëve nga Kosova më tepër ka karakter reklamues për deputetët sesa përmbajtje të vërtetë. Kuvendi nuk mund t’ua ndalojë qytetarëve të largohen nga Kosova përmes një rezolute. Megjithatë, Kuvendi dhe deputetët duhet të jenë shumë më kërkues ndaj qeverisë, të ushtrojnë mbikëqyrje funksionale dhe në përgjithësi të jenë më aktivë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke ndikuar në përmirësimin e kushteve të jetës në Kosovë, duke stimuluar punësimin e të rinjve dhe kësisoj do të ndikonint që qytetarët të duan të jetojnë e punojnë në vendin e tyre.
“Epoka e re”: Së fundi, Kuvendi e ka bërë si praktikë mbajtjen e seancave të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth problemeve të caktuara. Në këto seanca po propozohen rezoluta të caktuara të cilat nuk po votohen. Pse mendoni se po ndodh kjo?
Murati: Kuvendi i Kosovës gjatë pjesës së parë të këtij viti ka mbajtur gjashtë seanca të jashtëzakonshme të cilat për pikë të vetme të rendit të ditës kanë pasur debat parlamentar. Tashmë është bërë praktikë që Kuvendi të diskutojë mbi çështje të caktuara vetëm pasi ato të ndodhin andaj edhe rezultatet që kanë prodhuar këto debate janë të pakta. Asnjë nga debatet e mbajtura këtë vit nuk janë përmbyllur si rezultat i mungesës së kuorumit për të nxjerrë rezoluta ose rekomandime mbi çështjen e diskutuar si dhe për shkak të mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare për harmonizim të rezolutave/rekomandimeve të propozuara.
“Epoka e re”: Në sesionin pranveror Kuvendi i ka mbajtur disa seanca të jashtëzakonshme. Sa po ndikon kjo në agjendën e rregullt të këtij institucioni?
Murati: Mbajtja e një numri të madh të seancave të jashtëzakonshme gjatë këtij viti ka lënë mbrapa Kuvendin me trajtimin e pikave që kanë qenë të parapara për t’u shqyrtuar në seanca të rregullta. Ndonëse jemi në muajin prill, Kuvendi ende ka pika të papërfunduara qysh nga muaji tetor i vitit 2018 dhe gjysma e tyre janë projektligje qoftë në shqyrtim të parë ose në shqyrtim të dytë. Bllokimi i këtyre pikave në seanca të cilat nuk po arrijnë në përmbyllen për mungesë të kuorumit ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe në dinamikën e ulët të punës edhe te komisionet parlamentare të cilat nuk kanë mundësi ta fillojnë fazën e amendamentit të projektligjeve meqë të njëjtat nuk po arrijnë të marrin aprovim në parim në seancë.
“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për këtë legjislaturë? Pavarësisht prej problemeve që ka pasur, kjo legjislaturë është vlerësuar më e suksesshmja sa i përket realizmit të planit të saj legjislativ?
Murati: Kjo legjislaturë, ashtu siç e kemi thënë si KDI, tash e disa herë statistikisht qëndron mirë nëse e krahasojmë me legjislaturën e V-të. Mirëpo, pavarësisht se në numra ka shënuar progres Kuvendi, probleme ka pasur gjatë procesit të punës qoftë në procesin ligjbërës, qoftë në mbikëqyrjen ndaj ekzekutivit. Asnjë seancë gjatë vitit 2018 nuk ka përfunduar në ditën kur ka nisur, për rrjedhojë kemi pasur një numër të madh të pikave që janë bartur nga një seancë në tjetrën dhe zvarritje të procesit të votimit për shkak të mungesës së theksuar të kuorumit.
“Epoka e re”: Për shkak të brishtësisë në numra, prej fillimit të mandatit opozita ka paralajmëruar rrëzimin e shpejtë të kësaj qeverie. Cila do të jetë jetëgjatësia e kësaj legjislature?
Murati: Nëse do të ketë lëvizje sa i përket shkurtimit të jetëgjatësisë së qeverisë aktuale, ato lëvizje do të jenë të suksesshme vetëm nëse do të përkrahen nga ndonjëri nga partnerët e koalicionit PAN. Opozita si e vetme nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta rrëzuar qeverinë, përkundër qëndrimit të përbashkët në këtë drejtim. Lista Serbe tanimë nuk është opsion për t’i përllogaritur votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë. Rrjedhimisht i vetmi opsion mbetet që ndonjëri nga parterët e koalicionit të votojë pro në mocionin potencial të mosbesimit. Koalicioni nuk ka qenë çdoherë stabil dhe nuk mund të përjashtohet asnjëherë që mund të ketë këso lloj lëvizje. Të paktën një gjë e tillë ka ndodhur në vazhdimësi edhe në të kaluarën, sidomos nga PDK-ja.
Muhamet KOCI