Seancë dëgjimore për Abazoviqin shkaku i votës për Kosovën në Këshillin e Evropës

27 prill 2023 | 16:47

Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Parlamentit të Malit të Zi e ka caktuar për 3 maj seancën dëgjimore të kryeministrit në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, lidhur me mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës e mbështeti dërgimin e kërkesës për votim tek Asambleja e saj Parlamentare më 24 prill, për të cilën votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Nga 46 shtete sa ka Këshilli i Evropës, 33 votuan për.

Seanca dëgjimore e Abazoviqit, i cili gjithashtu mban detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, u mbështet nga deputetët e Frontit Demokratik pro-rus (DF), ata të Partisë Popullore Socialiste pro-serbe (SNP) dhe Demokratëve, me sugjerimin e kryetarit të Komisionit, Miodrag Lekiq.

“Të na shpjegojë metodën, me të cilën është vendosur që të përkrahet Kosova si anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo çështje është e diskutueshme. Vendimi është marrë tepër lehtë kur janë duke u zhvilluar negociata të rëndësishme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Lekiq në takimin e Komisionit, raporton REL.

Ai pretendon se hapja e kësaj çështjeje “nuk përfaqëson një politikë antishqiptare”.

Fronti Demokratik njoftoi më herët se vendimi për pranimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës paraqet një mundësi për të filluar mbledhjen e nënshkrimeve në kishat dhe manastiret e Kishës Ortodokse Serbe për tërheqjen e vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Abazoviq theksoi se Mali i Zi do të mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.

Podgorica zyrtare e njohu Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili u zëvendësua në gusht të vitit 2020 pas tre dekadash në pushtet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërmjetësit evropianë…