“Security Code” i reagon Kurtit: Po kërkoni hakmarrje politike në adresë të gabuar

10 tetor 2022 | 19:56

Kompania “Security Code”, e cila është e angazhuar për siguri në SHSKUK, është deklaruar pas akuzave të drejtpërdrejta të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për neglizhencë në rastin e djegies së veturës së drejtorit të auditimit në ShSKUK, Musa Vitia për të dytën herë.

Kompania ka deklaruar se Kurti po kërkon hakmarrje politike në adresë të gabuar dhe se do të mbrojë imazhin përmes rrugëve ligjore.

Kurti e ka bërë përgjegjëse kompaninë “Security Code” për dështim në kryerje të detyrave në rastin e lartpërmendur.

Në reagimin e lëshuar nga kompania, thuhet se është e befasuar dhe e zhgënjyer me reagimin e kryeminsitrit Albin Kurti. Akuzat e Kurtit, nga kompania janë quajtur absurditete.

“Jemi të befasuar dhe zhgënjyer me reagimin e kryeministrit Albin Kurti rreth rastit të djegjes së një veture në oborrin e QKUK-së. Nuk e kuptojmë këtë absurditet të kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, i cili lëshohet në komente për një rast të djegjes së një veture në oborrin e QKUK-së. E dyta, se si vjen në një konkluzion të tillë pa u përfunduar hetimet dhe pa u zbardhur dhe rrethanat e këtij rasti”, thuhet në reagim.

Kompania ka shprehur habinë me akuzat e Kurtit, duke thënë se nuk është e ngarkuar që të ruajë specifikisht veturat e individëve e as mbrojtje të afërt për personave.

“E treta, si mund të fajësohet një kompani e sigurimeve fizike për një rast të djegjes së një veture kur ne nuk kemi obligime që të ruajmë specifikisht vetura të individëve. Edhe po deshtëm nuk ka mundësi teknike as operative të ruhet dhe sigurohet specifikisht secila veturë që futet brenda hapësirave të QKUK-së. Pra për rreth 3000 deri në 5000 vetura që hyjnë brenda dite në hapësirat e QKUK-së. Kryeministri e din mirë se asnjë organ shtetëror e privat nuk mund të ofroj roje dhe siguri për secilën veturë dhe qytetar që qarkullon në një hapësirë prej 52 hektarësh sa është hapësira brenda QKUK-së dhe e cila hapësirë është publike  Ne sipas kontratës ofrojmë siguri të rendit dhe mbarëvajtjes në hyrje dhe dalje të klinikave. Ofrojmë intervenim kur njoftohemi apo paraqitet ndonjë rast i momentit të ndonjë sulmi të personelit të QKUK-së dhe në këtë rast menjëher njoftohet Policia e Kosovës. Madje as hyrje daljet në portat kryesore nuk i menaxhon kompania jonë, po ashtu as kamerat e sigurisë nuk menaxhohen nga kompania jonë. Pra nuk është në mandatin tonë kontraktual të ofrojmë mbrojtje të afërt të personave dhe as siguri specifike për veturat e personalit. Sikurse as nuk bëjmë kontrolle të qytetarëve qe hyjn e dalin nga QKUK”, thuhet në reagim.

Security Code ia kujton Kurtit se nuk është organizatë politike, duket thënë se punëson mbi 500 persona. Sipas kompanisë, Kurti po kërkon hakmarrje politike në adresë të gabuar.

“E katërta, kryeministri i vendit e din mirë se ne nuk jemi organizatë politike por kompani private që i paguajmë taksa shtetit dhe kemi te punësuar mbi 500 persona. Ne operojmë sipas rregullave, kompetencave dhe obligimeve kontraktuale dhe ligjore, me palët dhe në këtë rast me QKUK-në. Duke marr parasyesh të gjitha këto, absurditetin e kësaj deklarate, nuk kemi se si të mendojmë ndryshe përveç që kryeministri i shtetit po kërkon hakmarrje politike në një adresë të gabuar. Në institucionet e shtetit, zyrën e regjistrimit te Bizneseve, ATK dhe MPB janë emrat dhe mbiemrat në pronësi të kujt është kompania. Prandaj është edhe e dëmshme që nga pozita e kujt do qoftë në krye të shtetit të pretendohet ose supozohet se emri i një kompanie të lidhet me emra të përveçshëm të personave politik”, thuhet tutje.

Krejt në fund, Security Code ka deklaruar se po konsultohet me avokatët për të ndjekur rrugët ligjore në mbrojtje të imazhit të kompanisë.

“Të shqetësuar nga kjo deklaratë e kryeministrit, kompania jonë është duke u konsultuar me avokatët për të ndjekur rrugët ligjore për ta mbrojtur imazhin e kompanisë, për të mbrojtur punëtorët, investimet, mundin e sakrificën e të gjithë neve që kemi kontribuar që të kemi një biznes i cili përveç që kontribon me taksat e shtetit, siguron mbajtjen e familjeve të mbi 500 punëtorëve”, thuhet në fund.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori gjerman në Kosovë Joern Rohde, në një prononcim për kosovalive.net,…