Sefaj: Gjuriq hyri në Kosovë për ambiciet e tija, Policia e Kosovës veproi profesionalisht
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka thënë se Marko Gjuriq me të gjitha veprimet e tij fundit të bëra nuk duhet të instrumentalizojë popullatën në Veri vetëm për shkak të ambicieve të tij.
”Kemi një proces të dialogut, e dijmë të gjithë që politika jonë nacionale është që të gjithë qytetarët në veri të integrohen në sistemin tonë për t’iu gëzuar të gjitha të drejtave. Kemi marr të gjitha masat e mundshme për pakicat serbe dhe e gjithë kjo tentohet që përmes Gjuriqit të shkatërrohet. Ne nuk mund të lejojmë që dikush siç është Gjuriqi për ambiciet e tij t’i shkatërrojë të gjitha këto arritje. Nuk është e bazuar vetëm në deklaratën e dhënë të tij, vendimi është i analizuar. Qasja e tij është destruktive, e jam i bindur që ai për ambiciet e tij të vjetruara politike tentoi të hyjë në Kosovë”, ka thënë ai.
Në “Zona B” të “Klan Kosovës”, Ministri Sefaj po ashtu komentoi dhe aksionin e Policisë së Kosovës, ndërsa e ka përshëndetur atë pasi sipas tij përfundoi pa ndonjë qytetar të lënduar.
”Ai s’duhet ta instrumentalizojë popullatën në Veri për shkak të ambicieve të tij. Ai është ndal është intervistuar e më pas është dëbuar nga shteti i Kosovës. Kjo është forcë e përdorur në mënyrë proporcionale dhe është vepruar në mënyrë profesionale. Ne kemi qenë të detyruar të veprojmë në këtë mënyrë. Ishin të gjithë të informuar, ambasada, EULEX-i e të gjitha institucionet. Policia e Kosovës ka vepruar jashtëzakonisht në mënyrë profesionale, siç dhe shihet se nga intervenimi nuk ka pasur ndonjë qytetarë të lënduar. Kemi shkuar për ta marr një person klandestin nga Republika e Serbisë i cili ka hyrë në territorin e Kosovës. Ne kemi dërguar të gjitha kërkesat dhe ndalesat në mënyrë institucionale. Është caktuar dita kur ai do të mund të vinte në Kosovë, por ai nuk i ka respektuar. Ne nuk kemi bërë asgjë ilegale”, ka thënë Sefaj.