Segmenti i autostradës Zahaq – Pejë përfundon në fund të shtatorit
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga këshilltari i ministrit Pal Lekaj, Pjeter Ndou, të martën ka realizuar vizitë inspektuese në punimet në fazën finale të segmentit të autostradës Zahaq-Pejë, për të cilën paralajmëruan përurimin në fund të shtatorit.
Ai ka kërkuar nga kompania e kontraktuar punë kualitative dhe me ritëm dinamik.
Kadriu ka inspektuar edhe punimet në rrugët lidhëse, të cilat janë duke u bërë me standarde të larta.
Me këtë rast u kontrollua edhe temperatura e asfaltit e cila rezultoi brenda parametrave të përcaktuar.
Kjo rrugë është duke u realizuar me tërë infrastrukturën përcjellëse si pahitë mbrojtëse, bankinat anësore, nënkalimet dhe rrethrrotullimet e parapara.
Përfundimi i këtij aksi rrugor, i jep fund zvarritjes së punëve nga qeverisja e kaluar dhe lehtëson qarkullimin qytetarëve të Pejës dhe tërë vendit.
/Epoka e re/