Sejdi Gega i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka bërë me dije se Sejdi Gega i është bashkuar kësaj lëvizje.
“Sejdiu nuk ndalohet as sot, prandaj i është bashkuar Lëvizjes i gatshëm për të tjera sfida që e presin përpjekjen tonë kombëtare”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka treguar se Sejdi Gega ka mbaruar Fakultetin Xehetaro-Metalurgjik, në Mitrovicë, drejtimi Teknologji e Përgjithshme dhe ka punuar profesor në Gjimnazin “Jeta e Re” në Therandë.
Po ashtu Kurti ka bërë me dije se Gega është i burgosur politik i vitit 1981 dhe bashkëvuajtës e shok me simbolin e rezistencës shqiptare Adem Demaçi.
“Në vitet ’80 dhe fillimin e viteve ’90-ta ka qenë veprimtar politik për çka është përndjekur dhe detyruar të mërgojë. Jashtë vendit nuk e ka ndaluar veprimtarinë politike. Gjithashtu, në mërgim për tre vite ka punuar mësues në mësimin plotësues me nxënësit shqiptarë në kantonin Uri të Zvicrës. Sejdiu gjithashtu merret me shkrime dhe ka botuar librin ‘LPK, në vazhdën e përpjekjeve për bashkim, themeluese e UÇK-së’ dhe një botim kushtuar gazetës ‘Zëri i Kosovës’. Sejdiu nuk ndalohet as sot, prandaj i është bashkuar Lëvizjes i gatshëm për të tjera sfida që e presin përpjekjen tonë kombëtare”, ka deklaruar Kurti.
/Epoka e re/