Sejdini: Ne dhe Kosova do t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit për finalen
Ndeshja gjysmëfinale e Ligës së Kombeve, sipas të gjitha gjasave, do të luhet në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.
Në një intervistë për Lajm TV, kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFMV), Muamed Sejdini, ka deklaruar se kjo ndeshje mund të zhvendoset në një stadium tjetër vetëm nëse UEFA e vlerëson si sfidë me rrezik të lartë. “Ne si federatë, por edhe ju si gazetarë, duhet të punojmë që kjo ndeshje të dalë dhe të jetë një ndeshje ku mbizotëron futbolli. Do të bëjmë spektakël futbolli, të punojmë dhe të tregojmë dinjitet futbolli dhe t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit për finalen, qoftë ne apo Kosova. Ne si federatë gjithçka do ta kemi në nivelin më të lartë”, ka thënë Sejdini.
“Më 18 dhjetor 2019 do të kemi Këshillin Drejtues dhe do të vendosim përfundimisht ku do të luhet. Alternativa e parë është stadiumi në Shkup, por do ta lë një rezervë të vogël nëse Komisioni për Integritet në UEFA e sheh si ndeshje me rrezikshmëri këtë ndeshje, atëherë do të ketë ndryshime. Megjithatë, them se ndeshja do të luhet në Toshe Proeski në Shkup dhe do t’i tregojmë botës se dimë të organizojmë ndeshje të tilla”, ka shtuar ai. Ai foli edhe për biletat shtesë që Agim Ademi ka thënë se do të kërkojë nga Federata e Maqedonisë, duke thënë se është i gatshëm ta plotësojë këtë kërkesë.
“Jam mik i mirë me Agim Ademin, por edhe me Dukën, shpesh udhëtojmë bashkë. Nuk i lë anash edhe federatat e Ballkanit. Jemi gjithnjë bashkë. Jam i gatshëm t’ia përmbush kërkesën Ademit”, ka deklaruar Sejdini. Të dy krerët e futbollit kanë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi.