Sejdiu: Ashpërsia e gjuhës që po përdoret, tremb çdo njeri normal të këtij vendi
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se ashpërsia e gjuhës e cila është duke u përdorur nga përfaqësuesit e institucioneve të vendit është dike shqetësuar çdo njeri normal.
“E në këto ditë të vështira, në Kosovë, fatkeqësisht vërehet mosuniteti politik dhe institucional i shprehur karshi këtyre sfidave kur edhe po rrezikohen jetërat e njerëzve. Ashpërsia e gjuhës që po përdoret, shqetëson dhe tremb çdo njeri normal të këtij vendi”, ka shkruar Sejdiu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Sejdiut:
Kjo kohë e sprovës së madhe
Pas luftës në Kosovë pasojat e së cilës ndihen me dhembje edhe sot, këto ditë po përjetohen si ditët më të vështira dhe më të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të saj. Virusi Covid-19 shpejt arriti edhe në Kosovë. Sigurisht për aq sa mundet lypë “hakun” e vet.
E në këto ditë të vështira, në Kosovë, fatkeqësisht vërehet mosuniteti politik dhe institucional i shprehur karshi këtyre sfidave kur edhe po rrezikohen jetërat e njerëzve.
Ashpërsia e gjuhës që po përdoret, shqetëson dhe tremb çdo njeri normal të këtij vendi.
Parësore në këtë situatë është urtia e të gjithëve dhe gjykimi i shëndoshë për hallet që kemi. Këtë e presin njerëzit e Kosovës, këtë e duan fëmijët e saj, për të cilët sot e njëzetenjë vjet më parë u ngrit në këmbë e gjithë bota demokratike.
E sot, një gjë duhet ta dimë: nuk jemi kërthiza e botës. Bota ka hallet e veta dhe nuk mund të sillet rreth nesh.
Është kjo kohë e sprovave të mëdha.
Para vetes kemi sfida edhe më shumë se kaq.
Uroj që kjo pranverë e nisur me kaq halle të marr bukurinë e saj!