Sejdiu: Gjendja fizike e futbollistëve nuk është e mirë
Superliga e Kosovës ka dy ditë që ka marrë “dritën jeshile” nga Ministria e Shëndetësisë për rikthmin në fusha të blerta.
Pas vendimit, skuadrat kosovare kanë filluar të përgatiten sa më mirë për rifillimin e garës. Drenica është skuadër e cila ka qenë gjatë gjithë kohës e kompletuar me të gjithë futbollistët e saj, ndërsa i vetmi futbollist që është jashtë vendit është Flamur Muleci, respektivisht në Austri.
Trajneri i kësaj skuadre, Gani Sejdiu e ka komentuar gjendjen momentale të skuadrës për GazetaBlic Sport. “Skuadra ka qenë e kompletuar gjatë gjithë kohës në Kosovë, përjashtim bën vetëm Flamur Muleci që është në Austri dhe pritet të kthehet në bazë të rregullave të përcaktuara”, ka thënë fillimisht Sejdiu.
Më pas ai e komentoi edhe gjendjen fizike të futbollistëve të tij, ku tha se gjendja fizike normalisht që nuk është shumë pozitive pas kësaj pauze të gjatë, por që motivi është maksimal para rifillimit të garave.
“Gjendja fizike nuk është e mirë, sepse vijnë prej një pauze të gjatë dhe koha është shumë e shkurtër për ta fituar formën fizike,sidomos për ne kur kemi ndeshjen e parë me 2 qershor. Ne duhet të jemi të kujdesesshëm në ngarkesa,por lojtarët janë shumë të motivuar dhe kjo vërehet shumë në stërvitje”, përfundoi me deklarimin e tij Sejdiu.
Kujtojmë që Drenica ndeshjen e parë e zhvillon në DigitAlb Kupën e Kosovës ndaj Prishtinës, me 2 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”.