Sejdiu: Iniciativa për shfuqizimin e Speciales ka paraqitur pasojat e para

23 janar 2018 | 16:51

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, është shprehur kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se deputetët që mendojnë për të mirën e vendit nuk duhet ta mundësojnë kalimin e kësaj iniciative në Kuvend.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Sejdiu ka vlerësuar se pushtetarët për interesa të ngushta personale po duan t’ia vënë flakën edhe vendit. Ai ka thënë se iniciativa për shfuqizimin e Speciales e dëmton seriozisht reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës në sferën ndërkombëtare.

Madje Sejdiu ka bërë me dije se tashmë janë vërejtur pasojat e para. Në këtë kontekst, ai ka treguar se për herë të parë në Parlamentin Evropian nuk është bërë nënshkrimi i konkluzioneve në kuadër të MSA-së.

Sejdiu ka kritikuar punën e qeverisë, duke thënë se çdo ditë e saj përcillet me skandale të cilat, sipas tij, kanë për qëllim ta tërheqin vëmendjen nga shëndetësia e shkatërruar, arsimi i degraduar, numri i madh i të papunëve, drejtësia tërësisht jofunksionale dhe kështu me radhë

“Epoka e re”: Z. Sejdiu, cili është qëndrimi juaj lidhur me iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?
Sejdiu: Kam qenë kundër Gjykatës Speciale sepse besoj fuqishëm në ndarjen e drejtësisë nga ana jonë. Mirëpo, duke pasur parasysh se ata të cilët na sollën Gjykatën Speciale, tash kur ky proces është i përfunduar po dalin kinse janë kundër kësaj, vetëm për t’i kënaqur interesat e veta personale, jam kundër shfuqizimit të saj. Kjo iniciativë po bëhet në dëm të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, mbi të gjitha po ua kthen shpinën disa prej miqve më të afërt, të cilët na kanë ndihmuar në kohët më të vështira.

“Epoka e re”: Ju do të votoni kundër shfuqizimit të kësaj gjykate?
Sejdiu: Në këtë stad natyrisht se nuk mund të kem asnjë përgjigje tjetër përpos të jem kundër shfuqizimit, sepse kjo punë ka marrë fund. Nëse nuk bëhet në mënyrën se si është vendosur prej Kuvendit të Kosovës, atëherë Kosovën do ta kthejë mbrapa, pra para shpalljes së pavarësisë, tek Rezoluta 1244. Dhe kjo gjykatë, nëse veç nuk rrëzohet nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, atëherë do të formohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me ç’rast ShBA-ja dhe miqtë tanë të tjerë janë zotuar se nuk do të ndalojnë çfarëdo iniciative nga Serbia dhe miqtë e saj në OKB.

“Epoka e re”: Si e komentoni vendimin e Kryesisë së Kuvendit që kjo çështje t’i kthehet qeverisë?
Sejdiu: Në aspektin procedural, sikur të ishte kjo një iniciativë e rëndomtë sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, duhet t’i dërgohet qeverisë për një mendim dhe vlerësim, pastaj të kthehet në Kuvend. Mirëpo duke pasur parasysh natyrën e kësaj iniciative, mendoj se çfarëdo tejzgjatje e kësaj çështje shkon në dëm serioz të interesave tona kombëtare. Kështu që, jam i befasuar për të keq, prej anëtarëve të kryesisë, të cilët po e fuqizojnë edhe më tutje këtë iniciativë. Nuk është dërgim i ‘topit’ te qeveria e as humbje kohe, sepse Gjykata Speciale do t’i vazhdojë përpjekjet e saj porsa të jetë e gatshme që t’i ngrehë aktakuzat e para dhe t’i bëjë arrestimet e para. Iniciativa për shfuqizimin e Speciales e dëmton seriozisht reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës në sferën ndërkombëtare. Veç kemi parë dështimin për herë të parë që të ketë një konkluzion të nënshkruar me Parlamentin Evropian në kuadër të MSA-së. Po i shohim edhe deklaratat e shteteve mike, të cilat veç janë duke i përgatitur sanksionet ndaj liderëve dhe pushtetarëve tanë, të cilët, si duket, për interesa të ngushta personale, po duan t’ia vënë flakën edhe vendit.

“Epoka e re”: Sa ka gjasa reale që Kuvendi ta shfuqizojë këtë gjykatë?
Sejdiu: Dy nënshkrime janë tërhequr, por ende janë mbi 40 nënshkrime. Por, nuk e di nëse janë siguruar numrat për ta kaluar këtë iniciativë. Të gjithë ata deputetë që mendojnë për të mirën e vendit nuk duhet ta mundësojnë kalimin e kësaj iniciative në Kuvend. Mirëpo, kjo varet nga vullneti i 120 deputetëve. Varet nëse ia duan të mirën vendit, apo për interesa të disa personave janë të gatshëm ta kthejnë Kosovën në një vrimë dhe ta zhbëjnë shtetësinë e Kosovës.

“Epoka e re”: Kosova do të dëmtohej më shumë me shfuqizimin e Speciales apo me funksionalizimin e saj?
Sejdiu: Askush nuk ka të drejtë ta mohojë lavdinë e luftës së UÇK-së, luftës mbrojtëse që ka bërë populli i Kosovës karshi okupatorit serb. Askush nuk do të duhej të kishte frikë për t’u ballafaquar qoftë me drejtësinë vendore, qoftë me atë ndërkombëtare sa i përket luftës sonë për liri. Është dyfish më i çuditshëm ky hezitim i disa personave, që të ballafaqohen me drejtësinë ndërkombëtare, kur e dimë se sa e pastër ka qenë lufta jonë dhe nderin më të madh që mund t’ua bëjnë përpjekjeve tona për liri, është që edhe një herë të ballafaqohen me drejtësinë ndërkombëtare dhe të vërtetojnë se kjo ka qenë luftë mbrojtëse, luftë për liri, kurse pala që ka kryer krime ka qenë Serbia e jo Kosova. Prandaj me këtë iniciativë, përveçse po i dëmtojnë raportet me miqtë ndërkombëtarë, njëkohësisht po e çojnë një mesazh se, kinse, ne kemi diçka për të fshehur. Në fakt, ne nuk kemi asgjë për të fshehur nga drejtësia.

“Epoka e re”: Ku do të vërehen efektet e para negative nga kjo iniciativë?
Sejdiu: Tashmë kjo ka ndodhur. Për herë të parë në Parlamentin Evropian nuk është bërë nënshkrimi i konkluzioneve në kuadër të MSA-së. Një prej elementeve të shtetësisë është hyrja në marrëveshje ndërkombëtare dhe zbatimi i tyre, ku Kosova po fillon një trend të moszbatimit të marrëveshjeve të cilat i nënshkruan. Një prej këtyre marrëveshjeve është ajo për Dhomat e Specializuara me Holandën. Kështu që, shihet qartë se një nga elementet e shtetësisë në vazhdimësi po cenohet nga ky trend i pushtetarëve tanë, të cilët njëherë po nënshkruajnë një marrëveshje, pastaj nuk po e zbatojnë. Askush nuk është më i vlefshëm se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Prandaj, nuk ka nevojë që askush për interesa personale ta sakrifikojë Kosovën dhe të ardhmen e saj.

“Epoka e re”: Një problem tjetër është edhe demarkacioni me Malin e Zi. Si e shihni zgjidhjen e tij?
Sejdiu: Edhe kjo është një çështje shumë e paqartë. Qeveria i ka dërguar Kuvendit një marrëveshje të nënshkruar me dy rekomandime. Rekomandimin e vjetër që është për ta ratifikuar dhe rekomandimin e ri që është për të mos e ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi. Deputetët nuk janë të vendosur se është e drejtë mbështetja apo mosmbështetja e demarkacionit. Komisioni për Punë të Jashtme ka kërkuar informata shtesë lidhur me këtë dhe shpresoj se organet e drejtësisë janë duke i hetuar aludimet se kinse ka pasur manipulim të hartave nga komisioni paraprak. Kuvendi nuk do të duhet të merrte vendim pa i pasur të gjitha këto çështje të sqaruara dhe, mbi të gjitha, duke e pasur parasysh se po bëhet fjalë për një interes shtetëror atëherë duhet të ulemi dhe të arrijmë tek një konsensus politik gjithëpërfshirës, pra të gjithë ne votojmë në një mënyrë apo tjetër, duke u bazuar në faktet që i kemi përpara. Pra, të mos e shndërrojmë një çështje të interesit kombëtar në një grindje të brendshme politike.

“Epoka e re”: Ju do të votoni për, kundër apo do të abstenoni?
Sejdiu: Në momentin që t’i kam të gjitha informacionet përpara do të mundohem ta marr vendimin, i cili do të shkojë në të mirë të qytetarëve të vendit.

“Epoka e re”: Si e shihni ecurinë e dialogut me Serbinë, i cili u ndërpre për shkak të zhvillimeve në veri të vendit?
Sejdiu: Dialogu është nisur mbrapsht, ka vazhduar mbrapsht dhe deri më tani çdo konkluzion ka qenë i mbrapshtë. Vazhdimi i dialogut do të duhej të nënkuptonte një riformatizim të tërësishëm, sepse gjithmonë agjenda është përcaktuar nga Serbia dhe Brukseli, kurse Kosova ka qenë vetëm pasagjere e një veture që është vozitur nga dikush tjetër. Ekipi i Kosovës duhet t’i paraqesë përpara të gjitha interesat dhe çështjet që dëshiron t’i adresojë dhe përfitojë nga ky dialog. Dhe në anën tjetër nuk duhet të vazhdojë dialogu përpos nëse kemi zbatim 100 % të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Ka me dhjetëra marrëveshje të arritura dhe të cilat ne i zbatojmë në tërësi, kurse Serbia nuk i zbaton asnjërën. Kusht për vazhdimin e dialogut duhet të jetë riformatizimi i procesit si dhe të sigurohet se do të ketë zbatim të marrëveshjeve para se të vazhdohet tutje.

“Epoka e re”: Z. Sejdiu, çfarë vlerësimi keni për punën e deritanishme të qeverisë Haradinaj?
Sejdiu: Është një anije pa kapiten. Është më shumë reaktive ndaj rrethanave ditore sesa që të ketë një agjendë të qartë. E kam parë raportin 100-ditor dhe vendimet që kjo qeveri ka tentuar t’i prezantojë si suksese të veta, ku shihet se ka shumë komponentë të cilët nuk janë të koordinuar në mes vete dhe në çdo vendim po shkelen ligjet, po cenohet Kushtetuta dhe po keqtrajtohet qytetari. Çdo ditë e bën nga një skandal me qëllim që qytetarëve t’ua tërheqë vëmendjen nga problemet ditore, siç është shëndetësia e shkatërruar, arsimi i degraduar, numri i madh i të papunëve, drejtësia tërësisht jofunksionale dhe kështu me radhë. Qeveria po u hedh hi syve të qytetarëve dhe nuk po merret me problemet e vendit. Do të duhej që populli të krijojë një aleancë me klasën e re politike, në mënyrë që të fillojë një pranverë kosovare dhe sa më shpejt t’ia këpusë jetën kësaj qeverie shkatërruese. Me shpresë që të dalë një klasë e re politike për t’i sjellë Kosovës ditë më të mira. Shpresoj që në pranverë të kemi zgjedhje të reja.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një vizitë…