Sejdiu: Jam i gatshëm ta marrë përgjegjësinë e liderit të LDK-së
Ish-presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, i ka renditur tri arsye pse ka vendosur t’i hyjë garës për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ai ka thënë se Lidhja Demokratike s’duhet të sillet më në mënyrë inerte përballë zhvillimeve politike. Sipas tij, LDK-së i duhet një ristrukturim i mirëfilltë i vetvetes. Po ashtu, ai ka thënë se pastaj partia duhet ta japë një ofertë programore.
Sejdiu ka thënë se është i gatshëm ta marrë udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por ka thënë se gjithçka do të zyrtarizohet në Kuvend.
“Siç kam thënë disa herë, unë e kam shprehur gatishmërinë time që ta marr përgjegjësinë e udhëheqjes së LDK-së”, ka thënë Sejdiu në një intervistë për Gazetën Express.
“Deri në ditën e mbajtjes së kuvendit, unë do t’i analizoj të gjitha rrethanat lidhur me kandidaturën time. Ato, siç edhe është rregulli, paraqiten në kuvend”, ka thënë Sejdiu.