Sejdiu: Kosova do të jetë përherë mirënjohëse ndaj Albert Rohanit
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka ngushëlluar popullin austriak dhe familjen Rohani, me rastin e rastin e ndarjes nga jeta të ish-diplomatit Albert Rohan.
Sejdiu ka thënë se Rohani do të jetojë në kujtesën e shoqërisë sonë për kontributin e jashtëzakonshëm në përcaktimin e statusit të Kosovës.
“Prehu ne paqe mik i madh i Kosovës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Rohan, Qeverisë dhe popullit mik të Austrisë, për vdekjen e diplomatit të njohur Albert Rohan. Pa dyshim se ai do të kujtohet përherë për kontributin e madh për paqen në Ballkan. Albert Rohan, do të jetojë në kujtesën e shoqërisë sonë për kontributin e jashtëzakonshëm në përcaktimin e statusit të Kosovës”.
“Ishte dhe mbeti përjetësisht miku i madh i Kosovës, për të cilën s’kurseu veten deri në definimin final të statusit të saj, si një shtet i pavarur, sovran dhe demokratik brenda kufijve të saj shtetëror me të cilën është njohur pavarësia e saj. Për kontributin e dhënë dhe meritat që ka pasur për pavarësinë e Kosovës, diplomatin Albert Rohan, e kam dekoruar me ‘Medaljen e Artë të Pavarësisë’. Kosova dhe qytetarët e saj do t’i jenë përherë mirënjohës mikut të madh Albert Rohan! Zoti e bekoftë mikun tonë Albert Rohan! Zoti e bekoftë familjen Rohan!”, ka shkruar Sejdiu në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/