Sejdiu: Kosova duhet të luajë për fitore ndaj Danimarkës dhe Bullgarisë
Trajneri Gani Sejdiu është shumë optimist se Kosova mund të arrijë fitore ndaj Danimarkës në miqësore dhe Bullgarisë në kualifikuese pasi ka potencial të madh dhe forma e lojtarëve është në nivel të lartë.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është në prag të dy ndeshjeve të para për vitin 2019. “Dardanët” fillimisht do të luajnë në miqësore ndaj Danimarkës, kurse më pas do ta presin Bullgarinë, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.
I kontaktuar nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, trajneri Gani Sejdiu ka thënë se miqësorja e 21 marsit është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe trajnerin Bernard Challandes, pasi do të shihet potenciali që ka para ndeshjeve kualifikuese në “Euro 2020”. “Ndeshja me Danimarkën është një test i rëndësishëm për përfaqësuesen e Kosovës, pasi është në momentin më të mirë për lojtarët tanë, të cilët do të kenë përballë një kundërshtar të nivelit të lartë. Edhe kundërshtarët në grupin kualifikues që ka Kosova janë të nivelit të lartë sikurse Danimarka dhe kjo ndeshje do t’u shërbejë shumë përfaqësueseve. Ajo që ka rëndësi të madhe në këto çaste është fakti se të gjithë lojtarët e Kosovës po tregojnë formë të lartë nëpër klube. Duhet të besojmë se përfaqësuesja po rritet sikurse edhe lojtarët nëpër klubet dhe ligat ku paraqiten. Duhet të luajnë për fitore, ani pse rezultati nuk është shumë i rëndësishëm, pasi është ndeshje miqësore. Selektori do ta ketë mundësinë që në këtë ndeshje të përgatisë edhe ndeshje me Bullgarinë”, ka thënë Sejdiu.
Trajneri që ka fituar dy herë titullin e kampionit në Kosovë është shumë i lumtur që futbollistët po tregojnë formë të lartë nëpër klubet e tyre. “Zeneli ka kaluar nga niveli i kampionatit holandez në një kampionat më të fortë siç është ai i Francës, sikurse që ka bërë më herët edhe Milot Rashica, i cili tash është ambientuar mirë dhe po tregohet vendimtar për klubin e Bremenit. Mos të harrojmë edhe paraqitjet e Celinës, Muriqit dhe të tjerëve”, ka shtuar ai.
Më pas ish-trajneri i Trepçës, Feronikelit, Besës dhe Trepçës ’89 foli edhe për ndeshjen ndaj Bullgarisë, ku deklaroi se futbollistët “Dardanë” duhet të luajnë vetëm për fitore kur ndeshjet zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”. “Kosova s’bën të kërkojë barazim, sidomos kur luan vendëse. Nuk besoj se barazimi është i mjaftueshëm, prandaj lojtarët duhet të luajnë me kujdes të madh. Pas suksesit në Ligën e Kombeve, jemi në një fazë tjetër dhe kemi potencial për të kërkuar më shumë. Tjetër gjë është kur luajmë ndaj Anglisë, por ndaj Bullgarisë duhet ta kërkojmë maksimumin, edhe pse është një kombëtare me traditë, por që tash është në fazën e tranzicionit”, ka thënë Sejdiu.
/Veton ZYMBERI/