Sejdiu: Kur përmend ‘luftë hibride’, po mundohesh të mbash një pozicion të viktimës
Analisti politik, Dardan Sejdiu, “luftën hibride” që po e përmend pushteti, po e quan të dëmshme.
Në Rubikon të Klan Kosova, ai tha se gjithmonë është biseduar me Listën Serbe për situata të ndryshme në Kuvend.
Por thotë se problemi qëndron te biseda me Millan Radoiçiqin, i cili është i kërkuar nga shteti i Kosovës tash për terrorizëm, e në kohën kur po pretendohet se është zhvilluar biseda me shefes së GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe Radoiçiqit, ka qenë në listën e zezë të ShBA-së dhe Britanisë, e madje edhe i kërkuar nga drejtësia në Kosovë.
“Ata që thonë që nuk kanë komunikuar me GP të Listës Serbe për ndonjë ligj apo tjetrin, ata nuk po e thonë të vërtetën. Ka qenë normale dhe e pritshme, madje e kuptueshme që shefat e GP, e sidomos shefi i GP të partisë në pushtet, ka tentuar të komunikojë me të gjithë shefat e GP-ve, përfshirë edhe atë të Listës Serbe për të siguruar numrin e votave për të kaluar ligje, për kuorum, e të tjera”.
“Çdo tentativë që bisedën me Sllavko Simiqin, me portretizu si diçka jashtë kuadrit të diskutimit parlamentar, është jokorrekte. Por diskutimi nuk është Simiqi, sepse ai është mbajtësi i telefonit, pra është mësiti. Nga përvoja si deputet, dhe kam qenë edhe Shef i GP, nuk kam parë një komunikim të tillë, ose s’kam qenë prezent, dhe nuk është që ka qenë praktikë. Kemi komunikuar me Simiqin, shpesh jemi munduar ta shpjegojmë edhe qëndrimin për shumë çështje, kryesisht për Zajednicën, por diskutim të tillë nuk ka pasë”.
“Radoiçiqi është figurë e qartë kriminale, një person që me anë të strukturave të tij të mbrojtura e përkrahura nga Vuçiqi, ka ndërtuar një organizatë kriminale me ndikim të madh në politikë në veri. Po flas para Banjskës, për të faktuar llojin e organizimit final që ka dashur ta bëjë. Kështu që, këtu është hileja politike dhe mendoj që për LVV dhe ish-kolegen time Kusari-Lila, është më mirë ta shpjegojë prej një optike të negociatave për vota në kuvend me një kryetar të GP i cili e ka pasur një kumbarë tjetër, sesa ta mbajmë këtë pozicionin e viktimës, sepse në fakt aty po vendoset”.
“Kur përmend luftë hibride, po mundohesh të mbash një pozicion të viktimës, duke u munduar të ndërtosh prapë këtë diskutimin mes partive shqiptare, atyre që kanë udhëhequr 20 vjet, dhe tash neve që po udhëheqim për 4 vjet”.
“Kjo është problematike, sepse po flasim për një mandat të plotë dhe strukturat që kanë qenë më 2017, nuk janë më. Kjo është një prej të mirave që LVV i ka sjellë në Republikë. I ka futur në reflektim edhe PDK-në, edhe LDK-në, të cilat kanë marrë veprime për t’u reformuar. Ndonëse janë grackuar pak në këtë orvatje”.
“Vendosja e termit të ‘luftës hibride’ në këtë diskutim, nuk i bën mirë as kohës në të cilën po futemi, që është fushata zgjedhore. Pra, nëse tash prapë po duam ta polarizojmë skenën politike mes partive politike shqiptare, mes ‘ata 20 vjet’, ‘na 5 vjet’, ‘këta po bëjnë luftë hibride’, ‘ne s’kemi fol me të, por edhe nëse kemi fole, kjo është montazhë e diskutimit. Kjo është me sherr, dhe nuk i ndihmon një normalizimi të diskutimit politik publik në Republikë në zgjedhje”, deklaroi Sejdiu.