Sejdiu: Lufta që vazhdon kundër PSD-së është shenjë dobësie
Zyrtari i lartë i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu, ka reaguar ndaj sulmeve që janë duke iu bërë kësaj partie pas rezultatit negativ në zgjedhjet e 6 tetorit.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se lufta që po vazhdon kundër PSD-së është shenjë dobësie.
“Shpresoj se fitorja në zgjedhje nuk u arrit për ta linçuar PSD-në. Nëse po, atëherë ne paskemi qenë arsyeja e vërtetë e së keqes në këtë vend – kurse qeverisjet e kaluara paskan qenë vetëm arsyetim elektoral”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Sejdiut:
Lufta që vazhdon kundër PSD-së është shenjë dobësie. PSD pësoi humbje në zgjedhjet, por ajo do të vazhdojë përpjekjet dhe programin e vet. Është e drejtë e saj meqë jetojmë në shoqëri të lirë.
Mirëpo, atë që po e vërej nga sulmet e parreshtura të militantëve të LV-së është bindja e tyre se politika është luftë, kurse fitorja është hakmarrje.
Të parën mund ta vazhdojnë, por të dytën s’mund ta bëjnë. Së paku, jo në një shoqëri të lirë dhe demokratike, ku njeriu ka të drejtë të ketë bindje të ndryshme dhe të ndryshojë mendje saherë që do.
Në anën tjetër, një parti që sot nuk është në Parlament, nuk do të duhej të kishte rëndësi për pushtetin e ri. Ai i fitoi zgjedhjet duke premtuar burg për hajna, mosndryshim të kufijve dhe rrëzim të PDK-së.
E, këto nuk u zhdukën të hënën në mëngjes. Hajnat janë ende të lirë, për ndryshim të kufijve ende po flitet – kurse PDK vazhdon të jetë në Kuvend.
Ndërkohë, vazhdon lufta dhe linçimet kundër PSD-së, e cila nuk ka vjedhë gjë, nuk përkrahu ndarjen e vendit dhe – nuk është në Kuvend.
Shpresoj se fitorja në zgjedhje nuk u arrit për ta linçuar PSD-në. Nëse po, atëherë ne paskemi qenë arsyeja e vërtetë e së keqes në këtë vend – kurse qeverisjet e kaluara paskan qenë vetëm arsyetim elektoral.
N’rregull. Krejt në fund, më duhet ta theksoj një gjë: për çfarëdo ofendimi, sulmi dhe përpjekje për linçim do të detyrohemi, si individë dhe si grup, t’i drejtohemi organeve të drejtësisë. Kërkesat për internim të Kryetarit të Prishtinës meritojnë kallëzim penal.
Së paku këtë mund ta bëjmë, tash pasi prej të hënës e tutje do të kemi drejtësi të çkapur nga kriminelët.
/Epoka e re/