Sejdiu: Mbi 60 përqind e mjekëve janë vaksinuar kundër Covidit
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka bërë të ditur se mbi 60 përqind e stafit shëndetësorë që janë në përballje me pandeminë COVID-19 janë vaksinuar deri tani.
Sejdiu në Edicionin Special bëri të ditur se edhe me kontigjentin e vaksinave që erdhi sot fillimisht do të vaksinohen mjekët që nuk arritën të vaksinohen me atë të parin, njofton Klan Kosova.
“Ne duhet të bazohemi në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë ku thuhet se mjekët do të jenë të parët që vaksinohen edhe nga ky kontingjent”.
“Nga vaksinat që janë marrë në Kukës si donacion nga Qeveria e Shqipërisë dhe nga kontingjenti i parë i vaksinave që erdhi në Kosovë janë vaksinuar gjithsej 4 mijë e 600 mjekë”.
“Mbi 60% e mjekëve që janë në shërbim janë vaksinuar në dy faza tek ne dhe në Shqipëri. Presim që të jenë edhe rreth 1800 mjekë që do të vaksinohen tash me kontingjentin që ka ardhur sot”, tha Sejdiu.
Sejdiu mes tjerash foli edhe për hezitimin e mjekëve për t’u vaksinuar kundër COVID-19.
“Një pjesë e mjekeve janë shtatzëna edhe një pjesë e tyre janë në moshë të re që kanë antitrupa dhe kanë konsideruar që nuk duhet të marrin vaksinën. Nuk do duhej të hezitonin aspak përveç mjekeve shtatzëna pjesa tjetër nuk duhet të diskutojë për marrjen e vaksinës dhe personeli shëndetësorë duhet të vaksinohet gjithsesi”.
“Kolegët tanë duhet të kenë parasysh se tashmë frika e variantit indian ekziston dhe kështu do të sillnin telashe më të madhe dhe nuk do duhej të diskutohej për vaksinim. Sytë e popullit janë tek ne dhe do duhej që të gjithë të vaksinohen”, tha Sejdiu.
Tutje Sejdiu tha se ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike duhet të merren më shumë me diskutimet publike që do t’i ftonin qytetarët të vaksinohen kundër virusit korona.