Sejdiu: Nexhmije Pagarusha, mbretëreshë e këngës shqipe
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu u ka shprehur ngushëllime familjarëve të Nexhmije Pagarushës të cilët po presin miq dhe bashkëpunëtorë të bilbilit të këngës shqipe. Sejdiu tha se Pagarusha ka qenë mbretëreshë e këngës shqipe.
Ish-kryetari i shtetit, tha për KosovaPress se Nexhmije Pagarusha ishte zëri kumbues për zhvillim dhe ngritje në kohet më të rënda për shqiptarët.
“Në një kohë kur nuk kishte as televizion, zëri i saj ishte në një radio ku mund ta gjeni, dhe ka qenë një zë kumbues dhe gjithmonë thirrës për zhvillim e për ngritje kulturale të shqiptarëve. Them se ka qenë vërtetë një mbretëreshë jo e vetmuar por mbretëreshë e këngës shqipe më kohët më të rënda që ne kemi pasur”, tha Sejdiu.
Ai shtoi se Nexhmije Pagarusha e ka përmbyllur ciklin e saj në mënyrën më të mirë të mundshme me vlerat artistike që ajo ka pasur.
Bilbili i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha ka ndërruar jetë dje në moshën 86 vjeçare.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në nderim të jetës dhe veprës së artistes së madhe, Nexhmije Pagarusha, ka vendosur që ditën e varrimit të saj, 9 shkurt, ta shpall ditë zie shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës. /Epoka e re/