Sejdiu: Opozita pa kualitet. Abdixhiku, kryetar i LDK-së me qasje të parregullt

04 dhjetor 2023 | 11:55

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e sheh me rëndësi të jashtëzakonshme unitetin politik për t’u përballur me sfidat e shtetndërtimit. Ai në një intervistë dhënë për Kosovalive, tha se që në kohën e bisedimeve të Vjenës kishin unitet të plotë, pozitë dhe opozitë duke qenë kështu të bashkuar në një proces të vështirë të negociatave.

Sejdiu e kujton një moment të rëndësishëm më të dërguarin amerikan tashmë të ndjerë Frank Wisner, kur ky i kishte bërë një pyetje direkte: A mund të qëndroni deri në fund me argumentet për pavarësinë e Kosovës? Ishte një pyetje direkte tha Sejdiu duke e krahasuar atë situatë me gjendjen e tashme që po përballet Kosova jo vetëm me Serbinë por edhe më faktorë të tjerë që nuk janë në anën e Kosovës.

Ish-presidenti e ftoi klasën politike që të jetë e përgjegjshme, siç tha në rastet kur propozojnë ide për konferenca ndërkombëtare për Kosovën e ide të tjera.

Sipas tij, këto ide shkojnë në dëm të 17 shkurtit 2008 e po ashtu edhe të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Sejdiu e sheh me rëndësi që pushteti ta ftoj opozitën për të ndërtuar unitetin, por jo vetëm. Në rrethanat politike që po kalon Kosova sipas tij, është e rëndësishme që të angazhohen edhe institute për të bërë analiza e studime të secilës situatë.

Ish-kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu, që e mori drejtimin e partisë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, nuk është i impresionuar me mënyrën e zgjedhjeve në kuvendin zgjedhor të LDK-së, ku u konfirmua për kryetar për katër vitet e ardhshme Lumir Abdixhiku.

“Ai e ka marrë besimin në Kuvend me krejt votat që i ka dhënë. Nuk mendoj se ka qenë qasje e rregullt, që nuk është lejuar mundësia që të ketë edhe kandidat tjetër. Absolutisht, ky është mendimi im. Fitoj apo nuk fitoj”, tha Sejdiu.

Ish-presidenti Sejdiu nuk foli me emra për të vlerësuar se cili nga liderët opozitarë po e bënë apo jo detyrën aktive në raport me pushtetin kur vendi po përballet me një proces kritik të bisedimeve me Serbinë e po ashtu edhe për temat e brendshme.

“Nuk ndalem tek individët por unë shoh se konceptualisht nuk është prezantuar ID-ja apo ai identitet që duhet ta ketë një opozitë, natyrisht se mund të jetë edhe në mungesë të numrave por kualiteti s’do të thotë që të mos jetë prezent në kuptimin e asaj që paraqet”, tha ai.

Kualitet nuk shihni? “Nuk shoh, absolutisht nuk shoh kualitet në atë që mund të jetë e nevojshme edhe për kohën në kuptimin e reagimit. Me duket shumë e paarsyeshme edhe ajo pjesa e takimeve me faktorin ndërkombëtar, me Lajçakun”, është përgjigjur Sejdiu.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izraeli zgjeroi të hënën ofensivën kundër Hamasit, grupit palestinez të…