Sejdiu: Përherë do të jetojë kujtimi dhe vepra e akademik Idriz Ajetit!
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e vdekjes se akademik Idriz Ajeti, ka thënë se ai ka dhënë se kontributi i tij në lëvizjen e madhe për liri dhe pavarësi.
“Isha i nderuar që akademik Idriz Ajetin ta dekoroja me çmimin presidencial për studiues, për rezultate të larta në fushën e studimeve të shkencave humane, veçmas për veprën e tij të madhe në studimet albanistike”, ka shkruar Sejdiu në llogarinë e vet në “Facebook”
Postimi i plotë i Sejdiut:
Të sfiduan shumë kohë, dole faqebardhë
Sot shkoi në amshim njeriu që kaloi shekullin.
Kontributi i tij, në edukimin dhe ngritjen e brezave të shumtë mbetet në kujtesën e mirë të të gjithëve, posaçërisht në studimet e tij në shkencën e albanologjisë, ku ishte prijatar në zhvillimin e saj.
Edhe pse në ditë të vështira e në kohë të rënda, pata nderin të bashkëpunoja me Akademik Idriz Ajetin, pikërisht kur u vu në krye të përpjekjeve për të drejtat e shqiptarëve, dhe në kërkim të përhershëm të lirisë së vendit.
Në vitin e rëndë 1998, udhëhoqi Kuvendin e Republikës së Kosovës deri në zgjedhjet e reja parlamentare pas lufte, duke u sfiduar nga koha, por edhe duke sfiduar kohën.
Kontributi i akademik Ajetit në lëvizjen e madhe për liri dhe pavarësi, është po aq i madh sa kontributi në albanologji.
Isha i nderuar që akademik Idriz Ajetin ta dekoroja me çmimin presidencial për studiues, për rezultate të larta në fushën e studimeve të shkencave humane, veçmas për veprën e tij të madhe në studimet albanistike.
Përherë do të jetojë kujtimi dhe vepra e akademik Idriz Ajetit!
/Epoka e re/