Sejdiu: S’do të lejohet të rrënohet ajo që është ndërtuar në Kosovë, Asociacioni s’ka përgjegjësi ekzekutive

16 tetor 2023 | 15:54

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se pavarësisht tensioneve në veri të Kosovës dhe rrethanave të reja gjeopolitike, nuk do të rrënohet gjithçka që është ndërtuar në Kosovë.

Sejdiu ka pyetur se “pse gjithë ky hezitim në cilësimin e asaj që ka ndodhur” në veri.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se sulmi në veri të Kosovës duhet “ta marrë emrin e merituar” dhe se Serbia duhet të ndëshkohet me “masa të merituara”.

Por duhet pasur kujdes, ka thënë Sejdiu në një intervistë për “Klan News” në Shqipëri.

Ai ka thënë se “Serbia është mësuar me gjëra të tilla” dhe se ajo është “e gatshme të bëjë gjëra të tilla” sërish. Por, Sejdiu ka thënë se s’do të mund të rrënohet ajo që është ndërtuar në Kosovë.

“Ka instrumente që nuk do të lejojnë të rrënohet e gjithë kjo që është ndërtuar”, ka thënë Sejdiu.

Në procesin e dialogut, Sejdiu ka thënë se “diçka nuk ka ecur”, ndërsa i pyetur për akuzat e kryeministrit Albin Kurti ndaj ndërmjetësve evropianë, ai ka thënë se “mund të ketë edhe hidhërime të nganjëhershme për çështje që mund të quhen të njëanshme”.

Sejdiu ka thënë se duhet të gjendjet një “zgjidhje e favorshme për krejt kontinentin”.

“Shpesh herë si president kam kërkuar që të ketë intervenim, jo ushtarak, por i sistemit doganor për ta parandaluar një kontrabandë të tillë”, ka thënë ai, duke folur për veriun.

Për Kosovën, Sejdiu ka thënë se “është e rëndësishme që dialogu të mos ketë alternativë”.

“Duhet të kemi kujdes. Por kjo s’duhet të thotë se duhet të pranojmë gjithçka”, ka thënë Sejdiu, duke shtuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk ka asnjë përgjegjësi ekzekutive.

“Asociacioni nuk ka asnjë përgjegjësi ekzekutive dhe s’duhet të ketë tendencë për thyerjen e karakterit unitar të shtetit të Kosovës”, ka thënë Sejdiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të zhvillojë një vizitë…