Sejdiu thotë se është i gatshëm të rikthehet në krye të LDK-së
Ish-presidenti Fatmir Sejdiu, i cili më herët ka qenë edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në krye të kësaj partie.
Ai në një intervistë dhënë “Radios Evropa e Lirë” ka thënë se ka energjinë dhe bagazhin për të qenë në krye të LDK-së.
“Unë e kam dhënë përgjigjen time rreth kësaj pyetjeje që e shtroni ju, se është shtruar në forma të ndryshme. Gjithmonë kam qenë, jam, dhe do të jem i gatshëm që nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe njerëzit e saj mendojnë se mund të jem në përgjegjësi të veçuara, në këtë rast edhe në udhëheqjen e partisë, jam i gatshëm, absolutisht po”.
“Nuk jam njeri që insistoj domosdo, absolutisht, por insistoj që LDK-ja të bëjë zgjedhjen më të mirë të mundshme. Në këtë rast, unë jam një nga njerëzit që kujtoj se e kam energjinë, e kam bagazhin tim, thjesht edhe politik, edhe përvojën jashtëzakonisht të bollshme, por ajo gjithmonë mund të begatohet edhe plus që të jap kontributin tim në çdo situatë”, ka thënë Sejdiu.