Sejdiu tregon nëse do ta përkrahin mocionin për rrëzimin e Qeverisë
Deklarimet se “Grupi i Pavarur i Deputetëve” mund të mos e përkrah ndonjë mocion eventual për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, përshkak se ky grup ende nuk është i përgatitur për të hyrë në garë zgjedhore, i ka demantuar Dardan Sejdiu.
Shefi i deputetëve të këtij grupi, ka thënë për “Insajderi”, se “GDP” do e përkrah çdo nismë serioze për rrëzimin e kësaj qeverie. Por, ka shtuar se ende nuk ka pasur diçka zyrtare rreth kësaj çështje, dhe kurdo që të ketë kërkesë apo propozim konkret do e analizojnë dhe do dalin me qëndrim.
“Çdo nismë serioze dhe e mirë menduar do të ketë përkrahjen e GDP! Por ne nuk kemi marr ndonjë kërkesë nga asnjë grup parlamentar. Në momentin kur ka propozim konkret do ta diskutojmë dhe do të dalim me qëndrim”, ka thënë Sejdiu.
Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, vazhdimisht kanë deklaruar se në momentin kur të përfundojë ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, do të organizojnë mocion për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. E me këso deklaratash kohëve të fundit kanë dalur edhe krerët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Opozita e tanishme në Kuvendin e Kosovës i posedon 60 deputetë, njëjtë sa i kanë edhe partitë në pozitë. Kurse, për rrëzimin e qeverisë, nevojiten 61 vota të përfaqësuesve në Kuvendin e Kosovës.
“Kërcënim” për rrëzimin e kësaj qeverie, e kanë dhënë edhe zyrtarë të Beogradit. Ivica Daiq, Ministër i Punëve të Jashtme serbe, ditë më parë, kishte thënë se nëse Kosova nuk e formon asosacionin e Komunave serbe, atëherë Lista Serbe, do e shqyrtojë seriozisht rrëzimin e qeverisë Haradinaj, pjesë e së cilës është edhe kjo parti.