Sejdiu: Vetëvendosja lëvizje, ne parti
Shefi i Grupit Parlamentar të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu, ka thënë se organizimi i subjektit të ardhshëm, që do të profilizohet si i qendrës së majtë, do të jetë ai i një partie politike, për dallim nga Vetëvendosja, që strukturën e ka të një lëvizje.
Në “Zona e Debatit” në “Klan Kosova” ai ka deklaruar se beson që votuesit është tashmë votues i idesë dhe programit dhe jo më i subjektit vetëm sa për të qenë i tillë.
“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë më shumë e organizuar si lëvizje, pra për aktivizëm, protestë. Ne mendojmë të organizojmë parti politike. Hapat e parë të këtij procesi janë nisur. Partia politike duhet që përvec shtrirjes dhe programit të mendojë edhe për mënyrë si duhet t’i qaset qytetarit. Organizimi i subjekteve politike është ai i një klientele të pastër. Në secilin qytet do të kemi degë dhe kështu do të shpërndajmë programin tonë”, ka thënë ai.
“Votuesi në Kosovë është goxha i emancipuar për sa i përket programit. Kjo u pa në zgjedhjet lokale. Kandidatët me program kanë pasur sukses. Votuesi tash është më shumë tek programi dhe ideja sesa tek të qenit përkrahës i një subjekti vetëm sa për të qenë. Mendoj që do të jemi goxha të shpejtë dhe të suksesshëm në shtrirje kualitative në të gjithë vendin”, ka shtuar Sejdiu.