Sejdiu: Viti 2019 ishte historik për shëndetësinë
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK), Basri Sejdiu, vitin 2019 e ka vlerësuar si historik për shëndetësinë në vend.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Sejdiu ka bërë me dije se realizuan shumë projekte që kontribuuan drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve.
Dy prej tyre që janë realizuar gjatë vitit 2019 janë trajtimi i infarktit në dy orët e para dhe trajtimin e sulmit në tru. “Viti 2019 mund të shquhet edhe si historik në shëndetësinë kosovare kur e them këtë them me plot besim sepse në vitin 2019 për realizohen dy projekte kapitale që janë edhe nacionale siç është sistemi kardiovaskular trajtimi i infarktit në dy orët e para dhe dy ditët e ardhshme do të fillon stroke që nënkupton trajtimin e njëjtë edhe të sulmit në tru. Dhe është projekti i dytë nacional dhe këto u realizuan në vitin 2019”, ka thënë ai.
Sejdiu po ashtu ka treguar se në vitin 2019 janë kryer 3 500 procedura në kardiologji invazive dhe diku 330 në kardiokirurgji dhe se asnjë pacientë nuk ka dalë jashtë për trajtim.
Gjatë vitit që lamë pas, Sejdiu thotë se një vëmendje e veçantë i është kushtuar meremetimit dhe modernizimit të klinikave dhe pajisjeve të tyre me infrastrukturë, pajisje mjekësore moderne, por që është punuar shumë edhe në edukimin e stafit mjekësor për përdorimin e mjeteve të avancuara.
Pavarësisht që në vitin 2019 u punua shumë, Sejdiu thotë se mbeten ende projekte që synojnë t’i realizojnë gjatë vitit 2020.
Ndër to përmend projektin e neuroshkencës, ndërtimin e kardiokirurgjisë së fëmijëve dhe trajnimin e stafit.
Sejdiu thotë se mbesin të përkushtuar që të avancojnë shërbimet shëndetësore dhe për këtë kërkon edhe mbështetjen e qeverisë në ardhje. Ai thotë se shëndetësia duhet të mbetet prioritet që duhet të angazhohet e gjithë shoqëria, ngase nevojat për këto shërbime mbeten të larta.