Sejdiu: Vizita e Kurtit te varri i Rugovës, ishte veprim institucional
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka përshëndetur vizitën e kryeministrit Albin Kurti që sot ka bërë te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“Ishte një veprim institucional normalisht me vullnetin e tij, por që ndikon mirë në klimën politike në vend”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka thënë se në Kosovë njerëzit duhet të mësojnë vetën të dëgjojnë edhe mendime të kundërta. “Shumësia e mendimeve është e domosdoshme për demokracinë. Kjo më së shumti vlen edhe për vendin tonë si një vend i ri. Praktikat e totalitarizmit dhe autoritarizmit nuk janë të mira dhe është mirë që nuk janë të pranishme në Kosovë”.
Duke u kthyer 12 vite pas, Sejdiu ka thënë se përzgjedhjen e flamurit dhe himnit e bënë një grup i ngushtë njerëzish përfshirë atë si president dhe kryeministrin e asaj kohe, Hashim Thaçi. “Erdhën ide të ndryshme nga një konkurs ndërkombëtarë… Kishte disa kufizime të cilat nënkuptonin një Kosovë me një pavarësi me mbikëqyrje ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Sejdiu thotë se pas shpalljes së Pavarësisë Kosova hyri në një faqe kënaqësie të madhe dhe me shpresë të madhe.
Sipas tij, faza e dytë ishte anëtarësimi në disa organizata ndërkombëtarë dhe vendimi i GJND-së për Pavarësinë.